Hapja e shkollës së parë shqipe në Kallarat
Shkolla shqipe e Kallaratit, që nga dita e hapjes më 20 tetor 1916 dhe deri në ditën që u mbyll më 2006, ka kaluar në disa etapa, që dallohen në veçoritë e tyre, të kushtëzuara nga zhvillimet në vendin tonë.
Etapa e parë përfshin periudhën 20 tetor 1916 deri në shtator 1920, kur u shporrën italianët nga Vlora. Hapja e shkollës së parë shqipe në Kallarat shënon ditën më rëndësishëm të popullit të shumëvuajtur. Kallaratasit këtë ditë e quajtën ditë të shënuar, ditë të kurorëzimit të kërkesave të tyre. Mësuesi i parë i shkollës ishte Hodo Jaho, i pasuar nga Musa Sinani, të dy borshjotë, dhe më 1918 Meçan Selam Qejvani. Godinën e nisur për xhami ata e kthyen në shkollë, e pajisën me pak orendi e mjete mësimore. Fëmijët mësonin dy vetë me një libër dhe me ndonjë copë hartë të vjetër.
Veçori dalluese e kësaj etape është se shkolla u zhvillua në kushtet e pushtimit italian. Për të përmbushur qëllimet e tyre shkombëtarizuese e kolonialiste, në shkollë, veç mësuesve shqiptarë, u vu si drejtor një mësues italian, maestro Xhulioti, dhe u fut mësimi i detyruar i gjuhës italiane. Megjithatë, hapja e shkollës u quajt një sukses i madh për fshatin. Maestrua italian nuk mundi të luante rolin kryesor, atë e luajtën mësuesit shqiptarë, si Telo Zhibi e Meçan Selami, të cilët e kundërshtonin me forcë.
Dashurinë dhe etjen për kulturë e dije të fëmijëve e ka pasqyruar në një libër maestrua italian i shkollës së Bolenës, i cili në librin e tij ngre lart kulturën italiane dhe mundohet të poshtërojë kulturën tonë. Por megjithatë, ai detyrohet të pasqyrojë drejt cilësitë e mira të popullit të Bolenës, që janë të përbashkëta me ato të Kallaratit siç janë zgjuarsia, etja për të mësuar, mikpritja për miqtë dhe urrejtja për armiqtë. Ai shkruan në librin e tij: “Fëmijët qenë të pajisur me një vullnet të mrekullueshëm dhe me shpirt emulacioni të madh.”
Etapa e dytë fillon në shtator 1920 deri në qershor 1923, kur u mbyll nga Qeveria e Xhafer Ypit. Qeveria e Fan Nolit, që erdhi në fuqi në qershor 1924, pati jetë të shkurtër, vetëm 6 muaj, dhe nuk arriti dot të bënte gjë për shkollat.
Në këto dy etapa të shkollës shqipe në Kallarat morën arsim tri klasë fillore rreth 70 vetë të moshave të ndryshme. Për t’u vënë në dukje është se midis tyre nuk figuron asnjë femër, gjë që tregon se sa të forta ishin paragjykimet. Mbyllja e shkollës u bë për mungesë fondesh, pasi qeveritë që erdhën në fuqi, nuk e quanin si detyrë të shtetit kombëtar arsimimin e popullit. Më 20 shtator 1923, pas mbylljes së shkollës, qeveria nxori një vendim, sipas të cilit shkollat mund të mos mbylleshin, po të paguante populli i katundit. Po popullin i Kallaratit në këtë periudhë e kishte mbërthyer një varfëri e madhe dhe nuk kishte mundësi të përballonte shpenzimet për pagesën e mësuesit. Kështu që fëmijët e Kallaratit mbeten analfabetë, me përjashtim të ndonjërit që shkuan të mësonin në vende të tjera ku kishte shkollë, ose mësonin si autodidaktë a me ndihmën e shokëve që kishin qenë në shkollë, siç kishin bërë të paret.
Etapa e tretë e shkollës fillon në shtator 1935 deri në korrik 1939. Përfaqësuesit e Kallaratit, me shpenzimet e fshatarëve, kishin shkuar disa herë në Tiranë për të kërkuar të hapej shkolla, por kërkesa e tyre binte ne vesh të shurdhët. Pas përpjekjesh të shumta, arriti puna që qeveria e Zogut, për të hapur shkollën vuri kushtet: “Të kishte një numër të caktuar nxënësish dhe fshati të siguronte vetë godinën e mësimit” (shkollën). Këto kushte u përmbushën dhe shkolla u hap. Në të u regjistruan dhe moshat e rritura, duke arritur numri i nxënësve arriti në 40–45 vetë. Ndërsa për ndërtesë, falë shpirtit human të hoxhës së fshatit, u përshtat xhamia e fshatit. Mulla Beqir Zhibi tha: “Të hapet shkolla në xhami, pa unë do ta fal xhihanë në qafë të Brodanit.”
Godina e xhamisë në qendër të Morrezës ishte një sallë e madhe, me kapacitet afërsisht 40- 50 vetë, me dysheme e tavan pishe dhe me katua, që mësuesit e përdornin si masë dënimi për nxënësit. Kjo u pajis nga vetë fshatarët me disa banka e stola dërrase të thjeshta, një dërrase të zezë, me një tavolinë e karrige për mësuesin. Kishte një ndarje të vogël ku pushonte dhe përgatitej mësuesi. Këtë dhomë mësuesi Remzi Mati e përdori për banim me gruan dhe vajzën. Në fillim, sipas marrëveshjes me hoxhën, ditët e premte dhe të festave fetare do të përdorej për shërbesa fetare; por më vonë mulla Beqir e përdori si xhami vetëm ditët e Bajramit e të Novruzit.
Shkolla ishte e pajisur dhe me disa mjete të thjeshta mësimore, si pak harta e globi. Me sakrifica, prindërit u siguronin fëmijëve abetaret, librat shkollorë, fletoret, lapsat, penë e shishe boje, që i mbanin në trasta leshi. Çdo nxënës kishte një dërrasë të vogël të zezë me vija, që shërbente për të mësuar dorën, në të cilin shkruhej me lapsa shtufi e shkumës.
Në shtator 1935, në klasën e parë të shkollës u regjistruan, veç atyre që i zinte mosha shkollore, që ishin të paktë, dhe të rriturit që s’kishin pasur mundësi të shkolloheshin më parë. U regjistruan edhe rreth 20 vajza. Gjatë 4 vjetëve të shkollës, nga 1935–1939, mbaruan tri klasë fillore rreth 73 vetë. Veçoria e kësaj etape është se zhvillohet pa pushtues, me numrin më të madh të nxënësve dhe në kushte disi më të mira të godinës dhe të pajisjeve. Edhe plotësimi i nxënësve me mjete mësimore ishte më i mirë.
Mësimet jepeshim me cilësi më të lartë, sidomos nga mësuesi normalist Remzi Mati. Ai i zhvillonte të gjitha lëndët mësimore, bënte mësimin e gjimnastikës, jepte edhe mësim kënge me fizarmonikë, organizonte shëtitje në vendet si Mesapliku, Lëngat e Vranishtit dhe në Bletëz të Kuçit, ku bashkoheshin dhe shkollat e tjera. Në fund të vitit shkollor organizohej një ceremoni në prani të prindërve, ku jepej një koncert me recitime, këndohej himni kombëtar dhe këngë për flamurin etj.
Mësues Remziu bëri disa ndryshime në shkollë. Më parë nxënësit në mëngjes dhe çdo pushim, kur do të hynin në klasë, viheshim në rresht dhe në hyrje duhet të nderonin me dorë në zemër fotografinë e Naltmadhërisë (Zogut), të vendosur në mur në krye të klasës. Këtë ai e thjeshtoi, duke e bërë rreshtimin dhe nderimin vetëm një herë në mëngjes. Po ashtu, në marrëveshje me pleqësinë, vendosi që çdo familje që kishte fëmijë në shkollë të sillte në verë një ose dy barrë dru, duke i shpëtuar fëmijët nga detyrimi që çdo mëngjes të sillnin nga një dru në shkollë, pasi mëngjeseve me ngrica u thaheshin duart.
Veç këtyre, mësues Remziu organizoi atë që mund të quhet punë prodhuese, rregullimin e mjedisit të shkollës. Na vuri të merrnim gurë nga përroi i Morrezës për ndërtimin e mureve të oborrit, krijoi një ngastër tokë ku u mbollën perime dhe lule, të cilave u shërbenin nxënësit. Madje, në verë, kur mbyllej shkolla, mësuesi bënte grafikun që çdo ditë një nxënës t’u shërbente perimeve dhe luleve. Pra, ai krijoi një kopsht botanik të vogël ku fëmijët mësonin të punonim, të mbillnin lule, perime etj.
Por me gjithë këto, shkollimi ishte i paplotë, pasi arsimi fillor ishte 5 klasë. Për ta përfunduar filloren, një pjesë që patën mundësi, e vijuan shkollën në Vranisht, Bolenë dhe gjetiu, duke marrë arsim komplet fillor. Kështu, në Bolenë e vijuan shkollën Perlat, Selam e Shaniko Meçan Qejvanaj etj. ; në Kuç Tare dhe Nedin Çelo Gjoni; në Mavrovë Hamdi, Nexhip e Zyber Shuaip Shero, Ahmet, Razip e Nuredin Karabolli; në Delvinë Arif Dalan Abazi, Hodo e Hamdi Zeqo; Dervish Nasip Qejvani në Borsh; Imer e Belere Daut Shakaj në Qishbardhë; kurse Mumin Selam Toçi, Nasip Shate Qejvani e Sinan Lame Petani mbaruan plotoren në Sarandë dhe në vijuan gjimnazin Tiranë; Nuredin Breshani mbaroi shkollën tregtare në Vlorë; Avdurraman Beqir Zhibi në normalen e Elbasanit.
Disa djem të Kallaratit vijuan edhe shkollat larta: Hasan Selam Toçi, pasi mbaroi medresenë në Tiranë, shkoi në Egjipt, ku mbaroi të lartën për letërsi dhe për teologji fetare. Izet Mejdi Bushi, Shahin Osmën Jonuzi, Veledin Ibro Rjepi dhe Demir Lato Haxhiraj vijuan akademinë ushtarake në Itali dhe u graduan oficerë. Dervish Hodo Shakaj e Abaz Muslli Shakaj mbaruan në Itali shkollën e ulët për nënoficerë; kurse Rruzhdi Petani, Lilo Dine Habili e Hasan Shamo Meçe mbaruan shkolla të ulëta ushtarake brenda vendit dhe u bënë nënoficerë etj.
Në shtator 1939 shkolla u mbyll për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Që nga viti 1916, kur u hap për herë të parë, e deri më 1939, dyert e shkollës mbetën hapur 11 vjet. Po, pavarësisht nga koha e shkurtër që qëndroi e hapur dhe nga arsimi gjysmëfillor që jepte, shkolla pati një rëndësi të madhe. Mbi 200 djem dhe vajza të Kallaratit kaluan në bankat e saj dhe ndihmuan edhe atë pjesë që nuk kishin mundësi të vazhdonin shkollat. Po kështu, shkolla ndihmoi në përhapjen e kulturës dhe të dijes në popull. Kjo ndikoi shumë te djemtë dhe vajzat e shkolluara që të kuptonin më mirë dhe më shpejt nevojën e luftës kundër pushtuesit fashist. Pikërisht, ish-nxënësit e shkollës qenë të parët që morën pjesë me armë në Luftën Antifashiste, ku një pjesë dhanë jetën.