Loading...

Si do të verifikohen në fshehtësi, 750 gjyqtarë dhe prokurorë për pasurinë, lidhjet dhe aftësinë

Pas miratimit të buxhetit, strukturës organizative, rekrutimit të stafit, miratimit të formularit për denoncimet nga publiku dhe caktimit të listës me 68 prokurorë dhe gjyqtarë e parë që do të kontrollohen, organet e Vetingut kanë hedhur edhe hapin e fundit që i hap rrugë nisjes së procesit.

Shqiptarja.com zbardh rregulloren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili rregullon në detaje funksionimin dhe organizimit e këtij organi, i cili do të vendosë për çdo gjyqtar dhe prokuror, nëse duhet të shërbejnë apo jo në drejtësinë e re. Sipas rregullores me 36 nene, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të organizohet nga katër trupa gjyqësore, të përbëra nga tre anëtarë. Trupat gjyqësore do të shqyrtojnë, sipas një radhe të përcaktuar, dosjet për çdo gjyqtar dhe prokuror.

Dosjet do të përgatiten në bashkëpunim nga këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë të Komisionit të Kualifikimit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, hetuesit amerikanë dhe evropianë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Tiranë, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme etj.

Verifikimi në fshehtësi të plotë

Verifikimi i trefishtë i mbi 750 gjyqtarëve dhe prokurorëve, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale do të kryhet në fshehtësi të plotë. Disa nene të veçanta rregullojnë marrëdhënien që kanë të bëjnë me informacionin e klasifikuar, nenet të cilat rregullojnë marrëdhëniet me ILDKP dhe DSIK. Neni 27 flet për një regjistër të posaçëm ku do të mbahen të gjitha të dhënat sekrete dhe raportet e këtyre dy institucioneve. Neni 28 përcakton rregullat e korrespodencës sekrete. “Anëtarët e komisionit dhe stafi kanë përgjegjësi për ruajtjen e sekretit dhe kofidencialitetit”, thuhet në rregullore. Neni 31 saktëson transparencën e punës së këtij komisioni dhe eksesin e publikut në këto të dhëna. “Raporti i relatorit, projektvendimet e komisionit, diskutimet, mënyra e votimit, shënimet e anëtarëve të trupës gjykuese do të jenë kofidenciale dhe në të nuk do të ketë akses as palët, (pra vetë të hetuarit prokurorë e gjyqtarë), as publiku”, parashikon neni 31. Shqyrtimi dhe vendimi për shkarkim Dosjet e regjistruara për shqyrtim, sipas rregullores, u shpërndahen trupave gjyqësore, përmes procedurës së shortit. Bisedimet për marrjen e vendimit ndaj subjektit të rivlerësimit zhvillohen me dyer të mbyllura në praninë e vëzhguesit ndërkombëtar. Vendimi merret me votim të hapur dhe me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të trupit gjykues. Nëse gjatë vendimmarrjes ka qëndrime të ndryshme nga ai i shumicës, komisionieri i mbetur në pakicë arsyeton me shkrim mendimin e tij.

Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të shkruajë një mendim ndryshe/paralel që i bashkohet vendimit. Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit apo prokurorit do të vendoset kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të. Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës. Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të këtij ligji. Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale. Në rast se nga vlerësimi tërësor, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit.

Përmbajtja e dosjeve

Për hartimin e çdo dosje do të merren të dhënat nga të gjitha institucionet publike apo private (siç janë bankat) brenda vendit, denoncime me fakte konkrete nga qytetarët si dhe informacion nga shërbimet partnere. Secila dosje do të përmbajë informacione, fakte dhe dokumente rrethe pasurisë dhe lidhjeve të mundshme më krimin për gjyqtarin apo prokurorin që po kontrollohet. Më konkretisht, dosjet do të përmbajnë të dhëna mbi mendimet e eprorëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbi ankesat ndaj tyre, masat disiplinore, të dhëna mbi pasuritë, llogaritë bankare, të dhëna tatimore, mbi interesa pasurorë të çdo lloji, të dhëna për kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare dhe mbi marrëdhënie të mundshme biznesi. Po ashtu, dosjet do të përmbajnë të dhëna mbi ekzistencën e parave cash, certifikatat e depozitave, kartat e debitit mbi automjetet, të dhënat për hyrje­daljet në kufi etj. Për çdo gjyqtar, nga ILDKP dhe DSIK do të ketë një rekomandim nëse duhet apo jo të përjashtohet nga sistemi.

Dosja do të shqyrtohet nga Komisioni i Kualifikimit, por fjalën e  fundit do ta thotë Kolegji i Apelimit, gjithnjë nëse palët nuk pajtohen me vendimin e Komisionit të Kualifikimit. Privilegjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kalojnë Vetingun Njerëzit e drejtësisë aktuale, të cilët do të rikonfirmohen në detyrë, pra që do t’i shpëtojnë Vetingut, do të kenë një pagë mujore që shkon deri në tre mijë USD. Përveç pagës bazë, e cila do të jetë sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës. Po ashtu, çdo vit, prokurorët apo gjyqtarët të cilët në vitin paraardhës kalendarik, në mënyrë të veçantë, kanë pasur vlerësimin më të lartë etik dhe profesional, marrin një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë. Për ushtrimin e pozicionit të kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë, do të përfitojnë 10% shtesë page mbi pagën bruto fillestare. Por, nuk mbaron me kaq. Gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë. Shtesa për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjyqtarët dhe prokurorët që do të kalojnë Vetingun do të mund të marrin kredi të financuar nga shtetit, për të blerë shtëpi të reja në qendrat e qyteteve ku ushtrojnë detyrën. Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët që do t’i mbijetojnë Vetingut kanë të drejtë që të përfitojnë pension suplementar dhe pension të parakohshëm. Magjistratët përfitojnë pension shtetëror suplementar dhe përfitime të tjera të parashikuara nga ligji “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”. Magjistrati gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm nëse ka mbushur të paktën moshën 60 vjeç, ka ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 30 vjet, duke përfshirë edhe periudhën e komandimit dhe që nuk është në gjendje të ushtrojë funksionin e tij, për shkak të sëmundjes, të vërtetuar nga komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë në punë

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com