Zbulohen detaje mbi kompanite qe kane borxhe ndaj shtetit, detyrime e taksa te papaguara, përfshirë interesat dhe gjobat që vendosen mbi detyrimin.Por ndonëse në total janë mbi 146 mijë biznese debitore në shtet, 40 për qind të të gjithë borxhit e kanë vetëm një grusht kompanish, disa prej tyre madje të lidhura me njëra tjetrën.
Kjo është lista me 10 borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj shtetit deri në fund të vitit të kaluar, sipas ‘TCH’.
1- Në vend të parë renditet ARMO. Rafineria e vetme e naftës në vend, në fund të vitit të kaluar kishte 160 milionë euro borxh ndaj shtetit. Pas saj, vijnë dy kompani publike OSHE dhe KESH, të cilat së bashku kanë mbi 140 milionë euro borxhe tek tatimet.
Lista pasohet me Deveron Oil, një tjetër kompani e lidhur me Armon, e cila në fund të vitit të kaluar kishte 52 milionë euro borxhe ndaj shteti. Më pas vijnë Glob Oil, Geotek Albania, Top Bast, Bankers Petroleum, Bell Air dhe Transpetrol, të cilat kanë nga 6 deri në 12 milionë euro borxhe secila.
Në maj të këtij viti Parlamenti miratoi një amnisti fiskale, e cila fal plotësisht borxhet para vitit 2010 dhe pjesërisht ato të periuudhës 2011-2014.
Falja vazhdon deri në fund të vitit. Sipas Ministrisë së Financave, deri në fund të muajit shtator tatimet dhe doganat kanë falur 202 milionë euro borxhe. Emrat e përfituesve më të mëdhenj nga falja e borxheve deri më tani nuk janë publike, por lista e borxhlinjve ka pësuar ndryshime të mëdha.
ARMO, e cila në fund të vitit të kaluar kishte 160 milionë euro borxhe në shtet, tashmë ka vetëm 71 milionë, pra rreth 90 milionë euro më pak. Deveron Oil, e cila në fund të vitit të kaluar kishte 52 milionë euro taksa të papaguara, tashmë nuk figuron fare në listë, ashtu si Glob Oil.
Të gjitha kompani në fushën e naftës, disa të lidhura me njëra tjetrën. A janë këta përfituesit më të mëdhenj nga falja e borxheve të qeverisë, apo i kanë shlyer detyrimet?Kjo mbetet për t’u parë, kur tatimet të bëjnë publike listën e përfituesve. E sigurtë është që edhe këtë herë, pjesën dërrmuese e qindra milionë eurove borxhe që do falen do ta përfitojnë vetëm një grusht kompanish.