Loading...

Mbyllet në Vlorë edicioni i XIII i Aulona Inter Folk Festival-2021/ Kush e fiton kupën e Festivalit…

Sejmen Gjokoli
LITUANIA, FITUESE E KUPËS SË FESTIVALIT
-Mbyllet në Vlorë edicioni i XIII i Aulona Inter Folk Festival-2021-
U mbyll me sukses edicioni i 13-të i Aulona Inter Folk Festival, mbajtur në qytetin e Vlorës në datat 12, 13, 14 qershor 2021.
Rreth 300 festivalistë ardhur në qytetin bregdetar nga disa vende të rajonit e Europës, për tri ditë me radhë i dhanë Vlorës një spektakël të stërmadh,ndezuar me ritme vallesh e ngjyra kostumesh të lloj-llojshme, duke e kthyer atë në një skenë të hapur folklori.
Tri ditë mbushur me një axhendë të pasur vizitash e performancash jo vetëm në skenë, përkundrazi në mjedise të ndryshme të hapësirës së qytetit, aje ku janë qytetarët, në trotuare, në sheshe, në lulishte e kudo.
Për të parën herë festivali pati rastin të gjëndet në zonën historike e turistike të qytetit, në Vlorën e vjetër rikostruktuar së fundi, tanimë kthyer në një atraksion të gjallë sa historik e turistik po aq edhe kulturor.
Performancat e grupeve në hapësirat e gurta të kësaj lagjeje rikostruktuar e kthyer në identitet përmes një projekti të posaçëm duken të bëra enkas për të pritur vlera të tilla të trashëgimisë shpirtërore.
Ashtu si kundër edhe hapësirat e krijuara përtej Vlorës qytet, aty ku nis shëtitorja pranë tunelit e ku festivalistët, djem e vajza të grupeve pjesëmarrëse, përmes rrathëve të valles i kthyen në një amfiteatër të vërtetë natyror.
Ndërkohë që pranë resortit turistik “Bojo” do të sfidonin valët e detit vënë në lëvizje prej erës jo të zakontë në një ditë mes qershori…
Risia e edicionit të këtij viti pa dyshim mbetët prezenca e ansamblit folklorik të ardhur nga Lituania, një grup që befasoi jo vetëm me nivelin e lartë të shpalosjes së folkut të tyre por edhe me kostumet tradicionale të cilat, sipas historisë datojnë apo vijnë si modele nga hershmëria e trashëguar midis shekujve të pesëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë.
U mirëprit e duartrokit gjatë nga të gjithë adhuruesit e folkut edhe grupi i ardhur nga Rumania, nga qyteti i Devas në rajonin e Transilvaninë.
Skenës dhe qytetit të Vlorës i dhanë jo pak shkëlqim edhe grupet e ardhura nga Shkupi e Gjilani, nga Korça e Elbasani, nga shqiptarët e Sllovenisë, nga polifonët zëbukur të grupit të Memaliajt po edhe nga grupet folklorike të Vlorës vetë.
Në përfundim të natës së tretë të festivalit, në mbyllje të koncertit me numëra të zgjedhura, kupa e edicionit të trembëdhjetë shkoi për Ansamblin “Gojus” nga Lituania, grup që shkëlqeu mbi të tjerë; me performancë vallzimi por edhe me kostumet perandorake të cilat e kthejnë në një grup folku të magjishëm, sa autentik po aq edhe mjeshtëror në paraqitje e interpretim.
Aulona Inter Folk Festival-2021, ndonse përmes vështirësish të natyrshme prej gjendjes shëndetësore globale, shënoi një manifestim i vërtetë me vlera të rralla trashëgimie kulturore, ngjizur natyrshëm me dimensionin turistik të qytetit bregdetar përherë në tentim për të mbajtur kurorën mbretërore të turizmit të vendit, ashtu si kurorat e grupit fitues të kupës të cilat, siç duket, mbeten të pa konkurueshme.
Urime dhe faleminderit folkloristë të shquar lituanezë mbasi Aulonën Festival na e bëtë më magjik e me më shumë vezullime e bashkë me festivalistët e tjerë ndezët edhe më shumë shpresën e kthimit në normalitetin shëndetësor jo thjesht të Vlorës e të vendit, të botës së tërë.
Festivali u zhvillua me mnështetjen kryesore të Bashkisë se Vlorës, Ministrisë së Kulturës dhe kontributit të miqve të festivalit.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com