Dhuratë më të shtrenjtë për 1 qershorin zor se ka. Dhe për më tepër duke shpëtuar një jetë.
Është ky rasti i vogëlushit vetëm pesë muajsh Arthur Morgan, i cili është bërë pacienti i parë në Britaninë e Madhe që trajtohet me ilaçin më të shtrenjtë në botë.
Fëmija mori terapinë e parë me kosto 2.2 milionë euro pasi u diagnostikua me atrofi muskulore kurrizore, një sëmundje gjenetike që haset në 1 nga 10 mijë fëmijë të lindur në të gjithë botën, raporton noa.al duke cituar britaniken “The Guardian”.
Trajtimi quhet Zolgensma, prodhohet në SHBA dhe referohet si ilaçi më i shtrenjtë në botë. Pavarësisht çmimit marramendës, Zolgensma, trajtimi i terapisë gjenike, nuk është një kurë e garantuar, por një dozë intravenoze që përmirëson lëvizjen dhe funksionimin e muskujve.
Babai Reece është shumë i lumtur siç shihni fotot në galeri që ju sjell noa.al. Ai falënderoi sistemin shëndetësor britanik për dozën ndërsa thanë se kanë nisur mbledhjen e fondeve për trajtime të tjera të djalit të tij pesë muajsh.
Atrofia muskulore kurrizore (SMA) është një sëmundje progresive e shkaktuar nga një gjen i dëmtuar. Sëmundja vr et qelizat nervore dhe bën që muskujt e foshnjave të konsumohen, gjë që mund të çojë në vështirësi në gëlltitje ose frymëmarrje.
Ndërsa muskujt e tyre përkeqësohen, foshnjat që vuajnë nga SMA nuk mund të qëndrojnë ose të ecin pa ndihmë, dhe shumica nuk mbijetojnë gjatë fëmijërisë së hershme për shkak të vështirësive të frymëmarrjes.
Foto credit: PA Press Association