“Otello” i Ben Blushit përkthehet në greqisht. Vepra shihet dhe si një parashikim i kohës në të cilën po jetojmë
Lexuesit grekë kanë marrë në duar librin e shkrimtarit shqiptar, Ben Blushi, “Otello, Arapi i Vlorës”.
Shtëpia botuese greke e cilësoi librin si një nga veprat më të mira të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Përkthimi i “Otellos” së Blushit është bërë nga Yorgos Goumas. Më herët romani ishte përkthyer në italisht dhe serbokroatisht.
Shtëpia Botuese greke “Vakxicon” e cilëson Blushin si një prej autorëve më të rëndësishëm të Ballkanit, me një vepër që na çon pas në kohë, në vitet 1300-1400 në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe Vlorë, duke na rrëfyer me një gjuhë magjepsëse marrëdhëniet politike e tregtare, në një sfond që kërkon t’i flasë lexuesit të sotëm.
Përkthimi vjen një vit pas vlerësimit me çmim nga ekspertët dhe juria e ngritur pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) në Fondin e Përkthimit.
Drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli, foli mbi librin e Blushit, në ceremoninë e shpalljes së fituesve të Fondit të Përkthimit për këtë vit nga ana e QKLL-së, nën praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti.
Ajo tha se romani është pritur me interes nga lexuesit grekë, pas suksesit që pati në gjuhën italiane.
Përkthimi është mbështetur nga QKLL. “Mbështetja e librit shqip në gjuhë e kultura të tjera është një prioritet i Qendrës, jo vetëm përmes këtij fondi, por edhe përmes një sërë kooperimesh ndërkombëtare”, tha Bardhyli.
Në këtë roman, Blushi i jep një tjetër jetë Otellos, duke e zhvendosur në Vlorë. Vepra shihet dhe si një parashikim i kohës në të cilën po jetojmë, që autori bën përmes letërsisë, me anë të personazhit të mjekut Stefan Gjika. Me motivet e dashurisë në sfond të kësaj historie, Otello kthehet në një prej veprave më të rëndësishme të kohës. /noa.al