Në mandatin e tretë, kryeministri Edi Rama duket se do t’i kushtojë më shumë vëmendje arsimit, posaçërisht Arsimit të Lartë.
Në takim me drejtues të universiteteve ishin edhe ministrja Evis Kushi, si dhe zv.ministri Olti Rrumbullaku.
“Nisëm sot konsultimin me rektorët e universiteteve publike për ngjitjen e Arsimit të Lartë në një nivel tjetër dhe dakordësuam krijimin e Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë”, tha kryeministri Rama.
“Do të punojmë ngushtësisht së bashku që ta kthejmë Mandatin e Tretë në fazën e një hopi të madh, drejt Objektivit Strategjik të Hapjes së Dyerve të universiteteve tona për Universitetet Publike Europiane dhe krijimin e kushteve, që studentët tanë të mund të marrin në të ardhmen diploma europiane këtu, në Shqipëri”, u shpreh kreu i qeverisë, Edi Rama.
Nuk dihet se çfarë hapash konkretë do të merren nga qeveria në këtë drejtim. Pas mbylljes së disa universiteteve private dhe miratimit të ligjit për Arsimin e Lartë, ka pasur shumë kontestime për këtë fundit edhe nga përfaqësues të vetë universiteteve.
Problemi më i madh është se Universitetet drejtohen prej 30 vitesh nga të njëjtit njerëz, disa prej të të cilëve u zgjodhën këtë vit për një mandat tjetër. Ata konsiderohen përgjegjës për degradimin e sistemit arsimor dhe kjo vë jo pak në pikëpyetje reformat e pretenduara nga qeveria. Është njësoj si t’ia besosh Reformën në Drejtësi, gardës së vjetër të sistemit për të realizuar reformat e pretenduara. /NOA.al