Loading...

Familjes nga fshati i Vlores nuk i mjaftojne hallet dhe varferia, ja cfare i ben shteti

Fatmir Ferraj është një person me aftësi te kufizuara, i cili jeton rrëzë të malit në Brataj të Vlorës. Fatmiri ka 6 fëmijë, ku tre prej tyre kanë probleme me sytë dhe rrezikojnë verbimin e plotë.

Nuk kemi të bëjmë vetëm me një familje të varfër apo me një shtëpi që po shembet, por me një urgjencë shëndetësore.

Për mos mjaftuar këto, OSHEE i ka shkëputur energjinë elektrike.

Kemi parë shumë familje të varfra, por ky është rasti më ekstrem dhe prehistorik i mundshëm.

Gruaja e kësaj familjeje tregon se ata mbajnë frymën gjallë me vetëm 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Shtëpia ku ata jetojnë është mbi 100-vjeçare dhe në gjendje të mjerueshme. Kanë qenë vetë banorët e zonës ata që u kanë ardhur në ndihmë duke iu rregulluar çatinë, por gjithë çka bie jashtë, hyn brenda.

Gruaja e shtëpisë thotë se kanë mungesë ujin e pijshëm , të cilin e marrin me kafshë si dhe problemin e energjisë elektrike.

Urgjente për këtë familje e për këta fëmijë të vegjël është vizita tek një mjek okulist i specializuar, për të mësuar nëse kanë shpresë që në një të ardhme të shikojnë dritën e diellit si gjithë njerëzit e tjerë, apo nëse sytë e tyre do të vijojnë në këtë gjendje deri sa ata të mbyllen përfundimisht.

Shtëpia është në një zonë të izoluar në fshat dhe largesa nga zona e banuar ka bërë që kjo familje të humbasë një nga fëmijët.

Ishte data 20 maj. Fëmija ishte 1 vjeç e gjysmë. Unë e mora në krahë. I kisha të sëmurë të dy binjakët. Shkova të vizitoja njërin dhe më pas do çoja tjetrin. Në mes të rrugës ai ndërroi jetë. U ktheva dhe erdha prapë në shtëpi. në darkë ika me bashkëshortin, me kunatën, me urgjencë në pediatrinë e Vlorës. Në krye të tre ditëve ai u rëndua edhe më shumë dhe shkuam në pediatrinë e Tiranës. Kam ndenjur një muaj. Kam dalë andej dhe erdha në shtëpi. kur erdha në shtëpi kunata erdhi ma mori fëmijën dhe e mori ajo sepse unë s’kisha kushte. Ilaçet duheshin mbajtur në frigorifer. Unë s’kam frigorifer”, – tregon zonja Ferra, ndërsa në krahë mban fëmijën e vogël dy muajsh.

Ne urojmë që përmes kësaj videoje dhe pamjeve që shfaqen në të t’ju kemi treguar sado pak nga jeta e kësaj familjeje rrëzë malit, ku siç e kemi thënë edhe më sipër, problemi më i madh nuk është buka e gojës, por drita e syve. Janë fëmijë që meritojnë të dalin nga izolimi, të mund të thonë emrin e tyre dhe të mund të shikojnë veten në pasqyrë, të dinë si e kanë gojën, veshët, sa të gjatë janë, çfarë i rrethon, ku e hedhin këmbën.

Nuk mjafton një natë dimri për të rrëfyer hallin e familjes Ferra, por kushdo që ka mundësinë ta ndihmojë këtë familje, e veçanërisht nëse ju jeni apo njihni një okulist të mirë e të aftë që mund të vizitojë apo t’i japë drejtim problemit të syve të këtyre fëmijëve, jeni të lutur të mos hezitoni të kontaktoni me redaksinë tonë. Çdo ndihmë është e vlefshme për këtë familje…

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com