Në një takim me të rinjtë e Tiranës Kryeministri socialist Edi Rama tha të dielën se patronazhisti është një mision politik që i dërgon ata shtëpi më shtëpi, teksa i pyet për problematikat e tyre.
“Në këto ditë fjala patronazhist është lakuar shumë. Për disa quhet si gogol që monitoron, vëzhgon njerëz. Nuk është një figurë që u shpik në Shqipëri.
Patronazhisti është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës, republikane dhe demokratike në SHBA. Kush ka këmbënguljen për të shkuar në shkalla më të larta fillon nga patronazhismi”, tha kryeministri Rama.
Kurse iu drejtua të rinjve: “Ju jeni patronazhistë. Si ju ka plot të tjerë dhe në këto ditë, fjala patronazhist sigurisht është lakuar shumë, por prej disave përdoret si fjalë për të krijuar idenë e një gogoli që ka dalë nëpër Tiranë dhe që vëzhgon, monitoron, kontrollon njerëz. Patronazhisti nuk është një figurë që u shpik në Shqipëri, nuk është një figurë që e krijuam ne. Patronazhisti, i cili në anglisht quhet canvaser, është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe historisë së përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës, Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike në SHBA. Patronazhisti është ai që angazhohet që aty ku jeton, aty ku banon, aty ku i kërkohet, të trokasë në një numër të caktuar dyersh, të kontaktojë me një numër të caktuar familjesh, të komunikojë me kategori të ndryshme moshore dhe shoqërore, me një numër të caktuar e të mbajë shënim se çfarë perceptimi ka nga ata që kontakton, majtas, djathtas, të vendosur, të lëkundur, të papërcaktuar, të papërcaktueshëm e me radhë.
Nga ana tjetër, dikush tjetër si shumë të tjerë, mund të jetë dhe 60 vjeç dhe vazhdon të jetë patronazhist, si aktivist i familjes së vet politike”.
Gjatë fjalës së tij zoti Rama nuk kurseu edhe ironitë drejtuar presidentit Meta dhe qëndrimit te tij. “Mesazhi për patronazhistët duke filluar nga Ilir Meta, patronazhistëve t’u merrni të keqen”.
Kurse paralajmëroi: “Dhe mos harroni asnjëherë, patroniazhistët ju njohin kush jeni. As mos ta çoni nëpër mend se patronazhistëve tanë ja u fshihni mendimet tuaja. Ne ju njohim kush jeni dhe po vijmë pas jush dhe në 25 prill, ju do ta shikoni sa mirë ju njohim ne juve. Edhe ju do habiteni. Sepse kur votat fillojnë të numërohen, ju do ta kuptoni se pse ne, juve ju kemi mundur, ju mundim dhe do t’ju mundim. Sepse Partia Socialiste, që ta merrni vesh mirë ju, nuk është Edi Rama. Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë.” tha zoti Rama.