Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarët në Shkodër përsëriti edhe një herë që është i gatshëm që të bashkëpunojë me liderin demokrat Lulzim Basha, pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Rama shtoi se është gati të bashkëpunojë me çdo shqiptar që nuk është ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta.
Pra, si kusht i kërkon Bashës të distancohet nga Berisha dhe Meta.
Kreu i qeverisë shtoi se Basha nuk pranoi ftesën e tij pasi kushti i tij ishte që “të largohet nga Berisha e Meta, e të bëhej për Shqipërinë Euripiane.”
Gjithashtu, Rama tha se është dakord edhe me deklaratën e Kishës Katolike, e ambasadores amerikane në lidhje me shit-blerjen e votës.
“Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar veç Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nuk është personale fare. Sepse Saliu e Iliri janë pengmarrësit e PD-së dhe Bashës. Jam gati të bashkëpunoj me Bashën, sepse nëse politika i lë punët e vetë, sherret e veta dhe merret me si ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit për agroturizëm, për shoqëri digjitale.Kjo është forca e bashkimit, politika për këtë është krijuar”, tha Rama nga Shkodra.
Kryeministri u shpreh se karta e Berishës që është përhapur në Shkodër se ai dhe socialistët janë komunistë, nuk funksionon më sot pas 30 vitesh.
Por kryesocialisti e quajti rivalin e tij ende një “kukull” në duart e Berishës dhe Metës.
Megjithatë, faktori ndërkombëtar, mësohet se si kusht i një bashkimi të mundshëm përveç zgjedhjeve që duhet të jenë të lira dhe të ndershme, është që palët të mbështesin Reformën në Drejtësi dhe të jenë pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Jam shumë dakord me qeverinë amerikane dhe përfaqësuesen këtu, edhe ata të Kishës Katolike që adresuan një plagë të madhe këtu në Shkodër, shitjen-blerjen e votës. Jam dakord që të shesësh votën është mëkat, ta blesh është mëkat. Jam po kaq dakord që këto zgjedhje duhet të jenë ku njerëzit të mendojnë jo sa do marr nga vota, po çfarë vote do të jap për fëmijët e mi”, tha Rama.
/NOA.al