Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha këtë të hënë është takuar me gratë e njësisë Dajt, ku ka diskutuar në lidhje me vështirësitë që ndodhet shtresa e mesme e qytetarëve.
Basha tha se fasoneria është një nga kategoritë që do të ketë një vëmendje të shtuar nga qeveria e tij, pasi është dhe sektori që ka shumë të punësuar.
Në kuadër të fushatës elektorale të 25 prillit, kryedemokrati ka theksuar se me uljen e taksave, të çmimit të naftës dhe të energjisë edhe sipërmarrësit do të jenë në gjendje që të paguajnë punonjësit.
Ai ka premtuar se nuk do të ketë paga poshtë 300 eurosh në muaj në vendin tonë.
“Unë e kam ndjek ecurinë e fasonerisë që është futur në krizën më të thellë të këtyre 8 viteve dhe kjo për shkak se është rritur çmimi i naftës”.
“Këto para shteti ja ka marrë. Gjithashtu rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte një tjetër masë që ndikoi tek fasoneria. Kur erdhi pandemia ne kërkua m që të mbyllnin fasoneritë dhe të paguanin punonjësit sepse ishte si një bombë por nuk na dëgjuan derisa plasi në Krujë dhe në Fush-Krujë”, theksoi Basha.
Me ardhjen në pushtet të PD-së, Basha shtoi se “kemi për qëllim që me garantimin e një ambienti miqësor ne duam që me uljen e taksave të ndihmojmë të gjithë sipërmarrësit shqiptarë. Ju e dini se në planin tonë ekonomik ne kemi vënë pagën 360 mijë lekë të vjetra si një objektiv”.
“Por pasi ka parë programin tonë kryeministri si një kopjac i keq thotë se do të rrisë pagat, ndërkohë që për 8 vite nuk bëri asgjë. Me rritjen e pagës do të rritet kontributi shoqëror, mënyra që ne i përqasemi tregon dhe ndryshimin e madh që ne kemi me njëri tjetrin”, – u shpreh Lulzim Basha.
Lidhur me shqetësimet që ngritën qytetarët, Basha u shpreh:
“Prekët një sërë çështjesh që lidhen me fatin e gruas. Shkurtimisht po ju them që politikat tona për fuqizimin e familjes, duke nisur me subvencionimin e interesave të kredive për banesa për 5 mijë çifte të reja në muaj, për bonusin për fëmijët e porsalindur 30 mijë lekë në muaj, tekstet falas për të gjithë sistemin parauniversitar janë ndihmë direkte për të gjithë familjet shqiptare”.
Kreu demokrat foli edhe për reformimin e sistemit arsimor.
“Sistemi arsimor dhe reforma në sistemin arsimor do t’ju ndihmojë edhe në një drejtim tjetër, duke nisur nga zonat rurale dhe duke u shtrirë në të gjithë vendin”.
“Ne do të zgjasim orarin deri në 4 pasdite, që është ora e daljes nga puna të prindërve, sigurisht do të jetë opsionale, por për ata që dëshirojnë këtë opsion. Shkollat shqiptare do të pajisen me arsimtarë shtesë veçanërisht në fushat e kompjuterit, TIK-ut, gjuhëve të huaja, sportit dhe artit”.
Duke nisur nga zonat rurale ku hendeku me zonat urbane është edhe më i madh të cilësia e mësimdhënies, – tha Basha, – “siç më përmendët shkollën e fshatit Ferraj ne do të bëjmë të mundur që fëmijët shqiptarë të përfitojnë një drekë falas nga buxheti i shtetit”.
/NOA.al