Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka sqaruar debatin lidhur me heqjen ose jo të pasaportave diplomatike për lojtarët e Kombëtares Shqiptare të Futbollit.
Pas kërkesës së Qeverisë, që i ka kërkuar FSHF-së, që lojtarët e Kombëtares të cilët ishin pajisur me pasaporta diplomatike, duhet ta dorëzojnë atë, ka reaguar vetë ministrja Xhaçka.
Kjo e fundit sqaron se ky status që djemtë e ekipit fituan në 2016 nuk do t’u hiqet, por bën me dije se pasaportat aktuale duhet të dorësohen pasi kanë skaduar.
Reagimi i plotë:
Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron, siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti.
Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë.
Është kjo arsyeja, përse djemtë tanë, sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016. /noa.al/