[sgmb id=”1″]
Edi Rama kur u pyet nga Arian Çani te emisioni “Zonë e Lirë”, për fajin dhe përgjegjësitë e Saimir Tahirit në lidhje me çështjen “Habilaj”, zgjodhi të përgjigjej me një shprehje frazeologjike.
“Çdo berr varet, nga këmbët e veta”, tha ai.
Por çfarë mesazhi ka dashur Rama të japë, nëpërmjet kësaj shprehje popullore me nënkuptim. Frazeologjizma që ka përdorur Rama për ish-ministrin e e tij të Brendshëm, përgjithësisht përdoret në veri të vendit dhe ka kuptimin, se fati i çdo qenie (njeriu) në fund është individual.
Në dialekt, berri është një dele në kohën e duhur për tu therur. Kuptimi i kësaj shprehje sipas fjalorit më të fundit, ku janë përfshirë edhe 5 mijë frazeologjizma pikante nga të gjitha zonat e vendit është se; fundi i një njeriu është individual dhe jo kolektiv.
Metafora është marrë nga rituali kur çdo berr (dele) kur shkëputet nga tufa për tu transportua drejt thertores dhe bëhet më pas gati për tu therur, varet në ajër e çengel i lidhur nga këmbët e pasme. Pas kësaj ai është në dorë të kasapit, i cili nëpërmjet thikës dhe hanxharit, e kthen në mish për ushqim.
Edi Rama pas përdorimit të kësaj shprehje frazeologjike për Tahirin, u pyet me këmbëngulje disa herë nga Arjan Çani, se çfarë kuptimi ka; çfarë është një “Berr”?!
Por ai refuzoi ta shpjegonte, sepse nëse do ta bënte, do të detyrohej të jepte shpjegimin e mësipërm për fundin e një berri, “që gjithmonë varet nga këmbët e veta”.
Fillimisht në mënyrë të hapur (kur foli për përgjegjësi individuale dhe dru të shtrembër) dhe më pas, në mënyrë më të sofistikuar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar me rastin vendimit për votimin e imunitetit, Edi Rama është përpjekur që rastin Tahiri ta ndajë si me thikë, nga vetvetja dhe qeverisja e tij në përgjithësi.
Edhe mbrëmë te Arian Çani dha të njëjtin mesazh; Tahiri është i vetëm në “thertoren” e prokurorisë dhe gjykatës së Krimeve të Rënda.