Kreu Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ekipi i tij i ekspertëve prezantuan platformën e arsimit para zgjedhjeve të 25 prillit. Platforma përfshin 5 gjuhë të huaja falas dhe trajnimin e dyfishtë profesional në 20 disiplina të ndryshme për shqiptarët.
Prezantimi u bë në një takim online te organizuar nga ambientet e universitetit Modul të Vienës, me pjesëmarrjen e Komisioneres së BE-së për Inovacionin, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriela, dhe të rektorëve nga universitetet më të mëdha austriake si dhe përfaqësues dhe ekspertë shqiptarë dhe të huaj në këto fusha.
“Dua t’iu falënderoj ju dhe kolegët tuaj për organizimin e kësaj ngjarje. Falënderime dhe mirënjohje të posaçme për Komisioneren Maria Gabriel për praninë e saj dhe prezantimin e saj sot, për mbështetjen e saj të fortë për Ballkanin Perëndimor dhe të Rinisë, dhe Dixhitalizimin, Inovacionin, Agjendën e Kërkimit Shkencor në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Basha.
“Për të pasur një politikë të mirë duhet të keni një diagnozë të mirë të problemit dhe më pas të kemi vendosmërinë për ta zgjidhur atë me zgjidhjet e duhura. Ne e dimë se ku qëndrojnë problemet në vendin tonë. Të rinjtë po largohen nga Shqipëria me një ritëm të paparë për 30 vitet e fundit, madje me një ritëm më të shpejtë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Po t’i krahasojmë, për çdo të ri serb që po largohet nga Serbia, 12 është numri i të rinjve shqiptarë që largohen nga Shqipëria. Shumica e tyre po largohen drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Basha më tej.
“Ne po humbasim me një ritëm shumë të shpejtë njerëzit që na duhen më shumë, në mënyrë që të ndërtojmë ekonominë tonë, në mënyrë që të ecim përpara, në mënyrë që të bëjmë të mundur që Shqipëria të përqafojë mundësitë dhe standardet e Bashkimit Evropian. Si ta zgjidhim këtë problem? Sigurisht që ne jemi dhe kemi qenë ato të cilët kemi mundësuar lëvizjen e lirë. Partia Demokratike ishte në qeverisje dhe unë isha Ministri i brendshëm kur arritëm të fitojmë Liberalizimin e Vizave që bëri të mundur që të rinjtë të lëviznin lirshëm”, – u shpreh kreu i PD-së.
Basha dha edhe një shembull si një produkt i lirisë për të shkuar në Evropën Perëndimore dhe për të marrë një arsimim atje.
Gjithashtu folën edhe ekspertët e huaj, të cilët thanë se arsimi kërkon një qasje vizionare dhe bashkëpunim në nivel ndërkombëtar.
/NOA.al