Kryeministri Edi Rama në prezantimin zyrtar të programit të PS-së për shkollat dhe universitetin premtoi se do të nisë menjëherë futja e gjuhës angleze që nga klasa e parë, në gjithë shkollat e vendit.
Rama para se të pretendojë një mandat të tretë foli për rritjen e pagave të mësuesve, duke shtuar se ato do të shkojnë deri në 40 për qind më të larta.
Kryeministri gjithashtu u shpreh se ndryshe nga koha kur diplomat jepeshin nëpër magazina, dhe në oborret akademike futeshin të gjithë me mik, sot është ndryshe, por pranoi se nuk situata nuk është shumë premtuese në universitete.
“Askush sot nuk i lëviz dot mësuesit që vendin ta zërë dikush me lekë apo me një mbiemër të njohur, Jam shumë krenar që kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet nuk ka shans të hyjë. Apo kur del mbrapa fëmijës së një çobani, nuk ka shans ta parakalojë. Pasi sistemi i hyrjes në Universitet është i pamanipulueshëm”.
Kreu i qeverisë thase më pas fokusimi do të jetë në njohuritë teknologjike dhe dixhitale.
“Gjuha angleze do nisë të mësohet kudo në gjithë shkollat e vendit që në klasën e parë”.
“Është koha që të gjithë të mësohen me gjuhën bazë të komunikimit digjital, qysh sot ne duhet ta pajisim brezin me dijet bazë në të dyja e ta zhdërvjelltësojmë sistemin e ngrirë arsimor në shkenca inxhinieri e matematikë”.
“Bazuar në modelin e parë të ngritur në Tiranë që do zhvillohet më tej te Piramida e diktatorit e kthyer në një epiqendër të Shqipërisë së të ardhmes ne do çelim programin kombëtar 10 vjecar të kodimit për nxënësit e klasave 12-18, e do hapim qendra të specializuara të botës digjitale jo në iphone e ipad por në botën digjitale ku fëmijëve do u prezantohen themelet e saj”.
Qendra e parë është kjo e Tiranës, të tjerat në Shkodër Vlorë, Dibër Korcë Kukës e Berat e hap pas hapi në krejt Shqipërinë.
“Do çelim programin kombëtar për artet e zejet për shkollat e mesme, me kushte e detyra për të usthruar mendjen e duart përmes krijimtarisë në projekte si detyrim që bota e iphone e ipad mos marrë peng mendjen, shqisat e trupin e tyre”.
“Sportet do zënë vend më të rëndësishëm që nga klasa e parë deri në universitet, na duhet një profil i ri i drejtuesit të shkollave”, – tha Rama, i cili nuk kursen as akuzat ndaj opozitës, duke etiketuar Mark Markun dhe Agron Gjenmarkaj, si ‘dy personazhe të njohura për katastrofën arsimore’ në universitete.