Kryeministri Edi Rama u shpreh se, në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në Vlorë, mungojnë përfaqësuesit e minoritetit grek dhe komunitetit çam.
Në takimin që zhvilloi sot me kandidatët për deputetë të PS-së për Vlorën, Rama theksoi se “ndërkohë që lista është me 12 emra. Pala tjetër ka sjellë një listë të paligjshme me 17 kandidatë. Ky është tregues i një çorientimi dhe i një talljeje brenda për brenda për t’i futur njerëzit në sherr me njëri-tjetrin. Ndërkohë që çuditërisht, megjthëse janë 17 vetë, nuk është gjetur vend për një përfaqësues të minoritetit”.
“Kjo është shumë e çuditshme dhe faktikisht minoriteti, ku ka sigurisht edhe votues që e kanë zemrën djathtas apo shkojnë nga PD-ja është lënë në harresë totale, si inekzistent. Siç janë lënë në harresë totale përfaqësuesi e një komuniteti të madh këtu, që është komuniteti çam.”- deklaroi Rama.
Ndërkohë që ne, vijoi kryeministri, në skuadrën tonë kemi një përfaqësuese të denjë të këtij komuniteti dhe jo thjeshtë e kemi në listë, por e kemi në numrin e objektivit maksimal.
Ndërkohë që vuri në dukje ai, qoftë sekseri i Çamërisë, qoftë sekseri i Greqisë, kanë vajtuar të dy bashkë në listën e Tiranës.
Sipas tij, kjo është një pasqyrë kuptimplotë.
“Kjo dhe e gjithë lista e Tiranës për të gjithë shqiptarët pavarësisht majtas apo djathtas, për të parë, se me kë mund të vazhdojë Shqipëria të ecë përpara dhe të vazhdojë punët dhe me kë rre zikojmë të kthehemi mbrapa, po kemi garancinë që e bëjmë Shqipërinë qesharake. E bëjmë gjithë procesin e qeverisjes komplet qesharakë”- tha ai.
Rama theksoi se “të gjitha komunitetet, jo vetëm nga pikëpamja e prejardhjes së tyre, por edhe nga pikëpamja e komuniteteve profesionale, e komuniteteve aktive, përfshirë edhe komunitetin e biznesit e kanë në këtë skuadër njeriun e tyre”.
Duke sjellë shembullin e kandidates që kryeson listën e deputetëve në qarkun e Vlorës, Pranvera Resulaj, Rama theksoi se “Pranvera është sot në listën e Vlorës si rezultat i një kërkese të gjerë të këtij komuniteti që janë sipërmarrës dhe janë motorri i ekonomisë së Vlorës, i punësimit në Vlorë që kanë insistuar që ne të konsiderojmë Pranverën pjesëmarrëse në këtë skuadër sepse në të gjithë kohën që ajo ka shërbyer në punën e saj, ka qenë njeriu që i ka dëgjuar dhe respektuar”./atsh