Loading...

Kryeministri Edi Rama nga Vlora: ‘Objektivi ynë për Vlorën është që të marrim padiskutim si bazë numrin që kemi 8 deputetë dhe deputete dhe të synojmë…’

Kryeministri Edi Rama ritheksoi sot nga Vlora se, “objektivi ynë për Vlorën është që të marrim padiskutim si bazë numrin që kemi 8 deputetë dhe deputete dhe të synojmë maksimizimin e forcave duke kapur objektin maksimal prej 9 deputetësh”.

Në fjalën e tij në një takim me ekipin e kandidatëve të Partisë Socialiste në Vlorë, Rama tha se, “është një sfidë që ne e kemi në radhë të parë me vetveten, sepse kemi bërë jashtëzakonisht shumë për Vlorën, për gjithë qarkun e Vlorës, por nuk diskutohet shumë akoma ka për të bërë, dhe nuk diskutohet që jo të gjithë e kanë prekur ndryshimin para pragut të shtëpisë së tyre”.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “ka akoma lagje periferike në Vlorë, në Sarandë që kanë nevojë për ndryshim. Ka akoma fshatra që kanë nevojë për rrugën e tyre rurale, ka nevojë për investime të tjera që të sjellin më shumë ekonomi dhe punësim, ka nevojë për të pasur shkolla të ripërtërira plotësisht, të rindërtuara apo të reja, në disa pika ku akoma progresi ende nuk ka mbërritur”.

“Ka nevojë të vazhdojmë me rindërtimin e qendrave shëndetësore, të cilat po ndryshojnë hap pas hapi dhe ajo që është e rëndësishme është se ka nevojë për kohë. Mandatin e tretë në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë e kërkojmë si një kohë për të vazhduar projektin e madh të transformimit të vendit”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “është dita e parë e përpjekjes për 25 prillin dhe së pari, dua që të shpreh falenderimin për ata të cilët nuk janë pjesë e skuadrës që do të bëjë ndeshjen drejtpërdrejt në fushë për 25 prillin, por që me shumë mirëkuptim, me shumë respekt për PS-së, dhe mbi të gjitha me shumë përkushtim për qëllimin e përbashkët jo vetëm nuk kanë shprehur asnjë pakënaqësi, por përkundrazi janë bashkuar me ne dhe kështu ne do të kemi një skuadër më të gjerë sesa lista e deputetëve, sepse në të do jenë bashkë me ne deri në 25 prill edhe deputetët që aktualisht vazhdojnë janë në Kuvendin e Shqipërisë që nga Vilma Bello, Fate Velaj, Edi Leka, Andrea, të cilat kanë pasur një kontribut të posaçëm në këto vite të mandatit të dytë, të cilët kanë qenë superkorrektë me angazhimet e Kuvendit dhe kanë qëndruar vijimësisht pranë komunitetit”.

“Arsyeja e rifreskimit të skuadrës lidhet me domosdoshmërinë për të përshirë edhe të tjerë për të dhënë mesazh të qartë edhe për të tjerë akoma që nuk janë pjesë e kësaj skuadre deputetësh, por që janë pjesë e skuadrës së PS-së të Vlorës. Këtu ne jemi një skuadër, ku pozicionet ndryshojnë, ku secili e secila bëjnë detyrën sipas pozicionit dhe të gjithë bashkë shtyjmë përpara një progres, që në Vlorë është absolutisht në sytë e të gjithëve”, – tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com