Loading...

112-vjeçe dhe fatmirësisht ende e fortë dhe aktive, vazhdon të bëj punët e shtëpisë e të kujdeset për kopshtin e gjënë e gjallë

Një grua 112-vjeçe jeton në fshatin Ferras të Njësisë Administrative Kozare në qytetin e Kuçovës dhe fatmirësisht ende e fortë dhe aktive.

Ajo quhet Qamile Marra dhe ka lindur në 19 Gusht 1909. Nënë Qamilja jeton në këtë fshat që prej ditës kur është martuar e deri më sot dhe ka lindur 6 fëmijë. Ajo gëzon shëndet të mirë dhe për çudinë e të gjithëve vazhdon ende të bëj punët e shtëpisë e të kujdeset për kopshtin e gjënë e gjallë.

Nënë Qamilja që dëgjon me pak vështirësi, tregon për News24 jetën e saj. Ajo e fillon nga martesa, shpërngulja nga shtëpia e saj e parë pas përmbytjeve që shkaktoi lumi Devoll në këtë zonë në kohën e komunizmit e deri tek lindja e fëmijëve, duke u shprehur krenare që ka rritur e vetme 6 fëmijë dhe 6 nipër e mbesa.

Nënë Qamilja pohon se ajo kujdeset vetë për veten e saj që nga larja, krehja e deri tek larja me dorë e rrobave të saj, të cilat nuk do në asnjë mënyrë t’i fusë në lavatriçe. Duke treguar edhe dhimbjet që ka pësuar në jetë (me vdekjen e shpejtë të burrit e më pas vdekjen e një djali dhe një nipi), nënë Qamilja shprehet se jeta e saj ka qenë e rrethuar me dashuri nga të gjithë.

E pyetur në lidhje me pandeminë që ka rënë në vend prej 1 viti, ajo shprehet se nuk ka frikë nga koronavirusi. “Jeta është e shkruar nga Zoti, ka rënë kjo kolera dhe të gjithë janë trembur për jetën, por ne jemi kurbanë të perëndisë”, shprehet ajo.

Djali i saj Hesen Marra, me të cilin jeton nënë Qamilja, tregon se jeta për nënën e tij ka qenë e vështirë, por ajo nuk është dorëzuar asnjëherë, ka punuar gjithmonë dhe kjo e ka mbajtur gjallë dhe akoma në këmbë.

Hyseni shprehet se nëna e tij edhe pse gëzon shëndet të mirë, çuditërisht prej disa vitesh është çregjistruar nga regjistri i gjendjes civile dhe kjo ka ndodhur pa i njoftuar fare familjarët.

Hyseni flet edhe për vështirësitë ekonomike që kalon familja e tij. “Me të ardhurat që sigurojmë e kam tejet të vështirë mbajtjen e familjes dhe pagesat e detyrimeve në shtet. Kurse prodhimet e tokës, ku kam mbjellë edhe disa pemë frutore, nuk më sigurojnë asnjë fitim përveçse humbje, kjo për shkak të mungesës së tregut”, shprehet Qamil Marra. /bw

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com