Kryeministri Edi Rama, ka zbuluar detaje mbi mëyrën e funksionimit dhe të menaxhimit të spitalit të ri rajonal që po ndërtohet në Fier me financimin e qeverisë së Turqisë.
Rama u shpreh se tre vitet e para, spitali do menaxhohet nga turqit dhe pastaj do t’i kalojë autoriteteve shëndetësore shqiptare.
Kryeministri dha detaje edhe mbi shifrën e personelit, ku 50 prej tyre do jenë turq dhe 320 shqiptarë.
“Do ketë 50 persona personel turk dhe 320 persona personel shqiptar. Personeli turk do jetë në nivele drejtuese, por edhe në mjekë, – zbuloi Rama. – Do ketë një periudhë 3-vjeçare tranzicioni, që do finalizohet me kalimin nën menaxhimin 100% të personelit shqiptar. Do jetë spitali i parë ku do marrë formë reforma për autonominë spitalore. Spitali do të jetë publik, si të gjitha spitalet e tjera, pa pagesë, jo spital privat me faturë ekstra”, – deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se spitali “do të pajiset nga A-ja te ZH-ja nga Turqia dhe do të jetë një qëndër e transferimit të dijes”.
Shefi i qeverisë, i bëri këto deklarata gjatë një bashkëbisedimi ‘online’ me qytetarët në Fier.
Më herët, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka nënvizuar se spitali i ri i Fierit do të ketë një kapacitet 150 shtretër dhe do të mundësojë shërbime ekselente dhe pranë vendbanimit për rajonin e Jugut.
Spitali i ri do të mundësojë shërbime të aksesueshme që përfshin 3 qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, për 540 000 mijë banorë.
Projekti pilot i autonomisë spitalore, do të nisë të zbatohet me këtë spital dhe më pas do të shtrihet në spitalet e tjera.
Sipas premtimit të palës turke, spitali rajonal i Fierit, i cili ka thuajse një muaj që ka nisur nga ndërtimi, pritet të përfundojë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. /noa.al/