Loading...

‘Ike nur’i bregut’/ Elegji për Lefter Çipën, ‘Nder i Kombit’ nga Sejmen Gjokoli

IKE NUR’ I BREGUT…
-Elegji për Lefter Çipën, ” Nder i Kombit”-
Nata në të shkuar, në të feksur dita,
Ike, Lefter Çipa.
Ike mbret i vargut, princ i fosforinës,
Ashtu, tinëz – tinëz.
E helmove detin, pikëllove malin,
Ike, na le mallin.
Na le mallë e këngë, le vargun e rëndë,
Shtigje për të zënë.
Këngën edhe këngën, na le amanete,
Se për të u trete.
Për këngën u trete, si qiri u shkrive,
Netëve me yje.
Për polifoninë, tënden fosforinë,
Nuk e mbylle synë.
Si Naimi ishe, tjetër shokë s’kishe,
Vargjeve fildishe.
I këndove Kombit, Shqipërisë që deshe,
Në dallgë e rrebeshe.
I këndove baltës, e mbrujtur nga gjaku,
Si lule zambaku.
I këndove gjakut, lule partizanit,
Me fuqinë e xhanit.
I këndove detit, gurëve të zallit,
Me hovet e djalit.
I këndove trimit, kaçakut të malit,
Dhe fijes së barit.
I këndove vajzës, bejkës bardhë borë,
Nuses me kurorë.
I këndove dhimbjes, plagës së kurbetit,
Lotëve të detit.
Gjithë lulet e malit, i derdhe lirika, Thëllëzash me pika.
I këndove hënës, ashtu vetull varë,
Mbi Akroqeranë.
Bregut ndeze zjarre, zjarret prushërojnë,
Këngëve pikojnë.
Ike nur’ i Bregut, nga valët e Jonit,
I vajte ballkonit.
Na e le Himarën, dera hapur mbeti,
Flamuri dhe deti.
Ike që të prehesh, në Pilur të këngës,
Në gjakun e zemrës.
Ike, Lefter Çipa, penda ndezur çika,
Vargjesh të florinjta.
Vargjesh prushëruar, me vesë vesuar,
Mëngjeseve zgjuar.
Lamtumirë s’të themi, se në këngë të kemi,
O pikë mademi.
Vlorë; 18. 02. 2021

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com