Farmacistët e Shqipërisë i ka kërkuar ministrisë së Shëndetësisë që të futen në listën e grupeve prioritare, me risk për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.
Ata akuzojnë shtetin për përçmim dhe diskriminim, pasi u vendosën si prioritet i vaksinimit vetëm mjekët dhe infermierët.
Urdhri i Farmacistëve përmes një deklarate i bën thirrje ministres, Ogerta Manastirliu që të reagojë, pasi farmacistët janë në vijën e parë të rrezikut.
“E nderuar Znj. Ministre, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, në referim të udhëzimeve të Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkon nga qeveria përfshirjen e farmacistëve në planin e vaksinimit të punonjësve të shëndetësisë. Është e pashpjegueshme që në një situatë të tillë pandemie farmacistët mos t’i shohësh si kontigjent me risk të lartë karshi infeksionit COVID-19, krahas kolegëve të tjerë punonjës të shëndetësisë mjek e infermierë. Farmacistët ishin e vazhdojnë të mbeten në vijën e parë të përballjes me infeksionin COVID-19”.
“Farmacistët, deri me sot, janë përgjigjur vetë për të tëra masat mbrojtëse që u janë dashur, pavarësisht se profesioni i tyre siguronte kujdes shëndetësor për gjithë shoqërinë shqiptare. Për 12 muaj përballje me këtë armik mbarë botëror, farmacistët shqiptar, për asnjë moment të vetëm nuk e patën efektin suport të shtetit, i cili nuk gjeti asnjëherë asnjë mundësi apo hapësirë ti drejtohej e ta trajtonte këtë kontigjent profesionistësh ashtu sikundër bluzat e bardha e meritojnë”.
“Farmacisti është shpërfillur në situata normale pune dhe po diskriminohet në situatë pandemie”.
“Të shumtë janë farmacistët e infektuar në frontin e punës, mes tyre pati edhe farmacistë të cilët e humbën betejën me këtë infeksion. Të riskuar ishin edhe janë edhe familjarët e farmacistëve, të cilët jetojnë së bashku me riskun e profesionit të familjarit të tyre, e prapë, këto bluza të bardha nuk vlerësohen se i plotësojnë kriteret për tu vaksinuar krahas kolegëve të tyre mjek. Nuk dimë se cili është grupi i ekspertëve që ka hartuar listën e profesionistëve me risk më të madh e që duhen vaksinuar më me prioritet, por bindja na thotë se vetëm njohës të mjekësisë ata nuk janë. Po të ishte ndryshe, nuk do të shpjegohej ky përjashtim i farmacistëve nga skema e vaksinimit. Ky përjashtim është veç një formë tjetër e shprehjes së vazhdueshme të përçmimit deri në mohim për këtë ekip të bluzave të bardha”.
“I drejtohemi dhe i kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë, si institucioni përgjegjës i shtetit Shqiptar, që ka për detyrë hartimin e politikave në mbrojtje të bluzave të bardha në situata të tilla pandemie, të përfshijë farmacistët në skemën e vaksinimit, njëkohësisht me kolegët e tyre mjek”.
“Qytetarët dhe qeveritë e mbarë botës i vlerësojnë dhe i respektojnë farmacistët si heronj, sepse këta profesionistë e meritojnë”.
/NOA.al