Tani që lista e shqiptarëve që kërkojnë azil në shtetet europiane rritet e rritet çdo ditë, ministri i Jashtëm holandez Bert Koenders e thotë qartë: askush të mos ta bëjë!
Ministri në një konferencë të përbashkët me ministrin tonë Ditmir Bushati argumentoi se shqiptarët janë të mirëpritur për turizëm ose punë, por jo për të kërkuar azil.
”A mendoni që është dëmtuar imazhi i shqiptarëve dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për emigrantët shqiptarë që kërkojnë azil?”, qe pyetja e gazetarit Vincent Triest për zyrtarin holandez.
”Për azilkërkuesit shqiptarë, së pari shqiptarët janë të mirëpritur te ne për turizmin, për të punuar por është e qartë që vendi juaj nuk është një vend në pozitë të tillë si azilkërkuesi, nuk jeni në statusin e azilkërkuesit, nuk jeni të mirëpritur si azilkërkues!”, theksoi prerë Koenders.
Shqiptarët renditen pas sirianëve, në vendin e dytë për azil në Holandë. Sipas të dhënave, kërkesat e emigrantëve tanë janë rritur me 40% më shumë. Këto janë të dhëna të Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë në Holandë. ”Numri i aplikimeve të para për azil ka rënë nga 43.100 në 2015-ën në rreth 18.200 në 2016-ën. Më shumë se 57% e fluksit në 2016 lidhet me aplikimet e para. Ishte 73% në 2015. Tre kombësitë e para të personave që plotësuan një aplikim të parë janë sirianët (12%), shqiptarët (9%) dhe personat nga Eritrea (8%)”, raporton Shërbimi i Emigracionit dhe Natyralizimit që varet nga kjo ministri.
Në Hollandë gjatë 2016-ës kanë kërkuar azil 1664 shqiptarë në total.