Loading...

Mësohet formula, ja sa do të paguajnë shqiptarët si taksë për shtëpinë nga viti 2018

[sgmb id=”1″]

Qeveria po bëhet gati të përfshijë në Paketën Fiskale 2018 taksën e re mbi pronën, por ende nuk po shpjegohet se kur do të fillojë ajo së funksionuari. Zakonisht, ligjet apo aktet nënligjore që përfshihen në një Paketë ndryshimesh të rregullave fiskale duhet të hyjnë në fuqi që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Por, sa i përket amendimit që kërkohet të bëhet në taksimin e pronave të patundshme, ka një paqartësi të madhe, edhe pse ministria e linjës deklaron se ajo do të hyjë në fuqi menjëherë.

Problemi

Ja çfarë deklaronte në mars të këtij viti përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Anita Tuladhar: “Shqipëria mbetet prapa shumë vendeve të tjera në mbledhjen e tatimit të pronës. Kjo pjesërisht reflekton mungesën e një kadastre të duhur të pronave, e cila ka bërë të vështirë zbatimin e plotë edhe të ligjit ekzistues të tatimit të pronës. Pra, qeveria shqiptare është e fokusuar, së pari, në krijimin e një kadastre fiskale, përmirësimin e mbulimit të pronave dhe zbatimin e mbledhjes së tatimit mbi pronën në bazë të legjislacionit aktual. Pas kësaj, procesi i prezantimit të tatimit mbi pronat, të bazuar në vlerë, do të duhet të vijojë me hartimin e kuadrit ligjor, të ketë konsensus të brendshëm politik në këtë hartim, të mobilizojë mbështetje nga donatorët dhe vendet fqinje për ndihmë teknike dhe të realizojë çështjet teknike dhe ligjore të lidhura me të”, ka pohuar ajo.

FMN ka qenë gjithnjë nxitës i ndryshimit të taksimit mbi pronat e paluajtshme në Shqipëri. Sipas të dhënave të OECD për vendet vendet e zhvilluara, të ardhurat nga taksa e pasurisë në Itali janë sa 2.8% e PBB-së, në Greqi 2% e PBB-së, në Zvicër sa 1.9% e PBB-së, Austria 0.6%, Sllovenia 0.6%, Hungaria 1.3%. Nivelin më të lartë e mbajnë Britania dhe Franca, që mbledhin nga taksa e pasurisë 4.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rajoni ynë e ka këtë tregues në rreth 0.7-1% të PBB-së, ndërsa vendi që ka performancën më të mirë është Kroacia, me rreth 2% të PBB-së. Statistikat tregojnë se Shqipëria ka rendimentin më të ulët në rajon për tatimin e pronës. Të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë më pak se 0.3 e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në vitin 2016, të ardhurat nga taksa e pronës në total për 61 bashkitë në vend ishte 3.9 miliardë lekë, ose rreth 29 milionë euro, me një rritje prej gati 20% në krahasim me vitin e mëparshëm. 82% e të ardhurave nga kjo taksë, vijnë nga taksa e ndërtesës dhe të tjerat nga taksa e tokës bujqësore. Të ardhurat nga taksa e pronave përbënin 5.7% të të hyrave totale të pushtetit vendor në vitin 2016. Eficiencën më të madhe në mbledhjen e taksës së pronës rezulton ta ketë bashkia e Vorës, që siguron gati 15% të të ardhurave nga taksa e pronës. E dyta është bashkia e Belshit, me 11.2% dhe e treta ajo e Tiranës, me 10.6%. Nga qytetet e mëdha më dobët është Shkodra, që siguron vetëm 3.8% të buxhetit nga taksa e pronës. Më keq nga të gjithë është Bulqiza, që pothuajse nuk e mbledh fare këtë taksë, e cila përbën vetëm 0.2% të totalit të të ardhurave.

Kryeqyteti i vendit, Tirana, ku jeton rreth një e treta e popullsisë, ka arkëtuar 1.5 miliardë lekë taksa nga prona në vitin 2016, ose 39% të totalit të vendit. Pagesa e disa taksave bashkë me faturën e ujit i ka rritur me 47% të ardhurat nga taksimi i pronave në kryeqytet.

FMN sugjeron që, me një formulë të re, taksat mbi pronën të sjellin të ardhura të barazvlefshme me rreth 0.55-0.6% të PBB-së së vendit. Kjo do të thotë që të ardhurat e pritshme nga ky zë të arrinin në rreth 65 milionë euro, me më shumë se dyfish në krahasim me 29 milionë eurot që paguajnë banorët e 61 bashkive në vend.

Zgjidhja

Po këtu ka disa probleme. Siç e thotë edhe përfaqësuesja e FMN-së, pengesë e madhe është mungesa e kadastrës së plotësuar të ndërtesave në vend. Kjo është përpjekur të zgjidhet kohët e fundit nëpërmjet një projekti, të zbatuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bashkë me ministrinë e Brendshme, për të plotësuar adresarin e ndërtesave. Por qeveria nuk ka shpallur ende se kjo punë ka përfunduar. Sidomos, është e vështirë të mendohet që ai është plotësuar edhe për zonat më të thella të vendit. Sipas specialistëve, ende 60 për qind e ndërtesave në vend ende nuk janë as të hipotekuara.

Dhe vështirësia nuk qëndron vetëm këtu. Ky do të ishte hapi i parë. FMN sugjeron, gjithashtu, që të gjendet konsensusi politik mes forcave kryesore në vend për të miratuar ndryshimet e duhura ligjore lidhur me taksimin e pronës, që pritet të përfshihen në Paketën Fiskale 2018. A mund të mendohet se kjo do të arrihet, në situatën e ndezur politike të momentit?

Dhe, së fundi, vjen vështirësia teknike, që duhet të jetë më e madhja nga të gjitha. Burime zyrtare nga ministria e Financave thonë se projekti që është përgatitur tashmë parashikon kalimin, nga tatimi sipas zonës dhe vjetërsisë së ndërtesës, në tatimin sipas vlerës reale në treg të saj. Pra, ekipe të tëra vlerësuesish dhe tatimorësh do të angazhoheshin në gjithë vendin për të vlerësuar veç e veç çdo ndërtesë, pasi dy të tilla mund të jenë ngjitur me njera-tjetrën, por vlerën do ta kishin të ndryshme, në vartësi të cilësisë, amortizimit, shërbimeve që ofrojnë (ashensor, depozita uji, etj), etj. Kjo është praktikisht e pamundur të arrihet në vetëm këdo dy muaj e gjysmë që kanë mbetur nga viti në vazhdim.

Formula

Por, le të kthehemi tek formula e taksimit të ri, që është përgatitur nga ana e specialistëve të Financave publike. Çfarë propozojnë ata?

Aktualisht, vlerësimi bëhet në vija të trasha, duke u nisur nga jetëgjatësia e banesës dhe zona në të cilën ndodhet. Kështu, përdoret si vijë ndarëse viti 1991, për të taksuar më lirë ndërtesat më të vjetra, si dhe ndahen bashkitë në disa zona, duke taksuar më pak ato që janë në periferi.

Qytetarët e Tiranës tashmë kanë kohë që paguajnë taksën e shtëpive, të ndarë në 12 muaj, bashkë me faturën e ujit, që është titull ekzekutiv i detyreshëm për t’u paguar. Ndërtesat më të vjetra taksohen për familjet me 150 lekë në muaj, ndërkohë që ato më të reja paguajnë dyfishin. Kështu, një familje brenda Unazës së Mesme paguan mesatarisht nga 13 deri në 27 euro në vit për taksë banese. Kurse bizneset taksohen gati me dhjetëfishin e kësaj pagese për pronat e patundshme që kanë në pronësi.

Me formulën e re, fatura do të ndryshonte, duke përdorur disa koeficientë, me të cilët do të shumëzohej vlera e asaj prone. Për këtë, do të llogaritej vlera reale, që do të kishte në treg ajo pronë, në rast se dilte në shitje. Kjo do të thotë që, nga taksa fikse, që është aktualisht, do të kalohej në një taksë “referencë”.

Kështu psh, për një banesë luksoze, me vlerë 250 mijë euro, do të përdorej koeficienti 0.114%, nga ku do të rezultonte një taksë prone me vlerë 285 euro në vit, ose gati 24 euro e ndarë në secilin nga 12 muajt e vitit. Pra, pronari i asaj banese do të shihte në faturën e ujit pagesën mujore prej 3.200 lekësh të reja.

Në rast se banesa do të vlerësohej me 120 mijë euro, shifra mujore e taksës do të ishte 11.4 euro, pra 1.300 lekë të reja. Për të zbritur në një taksë prej vetëm 2.2 eurosh apo 300 lekësh të reja në muaj për një apartament modest që vlerësohet me 35 mijë euro. Në të gjitha këto raste do të kishim një rritje të konsiderueshme të taksës që paguhet aktualisht (150 – 300 lekë në muaj).

Ndërkohë, autorët e kësaj formule të re propozojnë uljen e ndjeshme të taksimit të bizneseve për pronat e tyre.

Gjithashtu, ditët e fundit është sqaruar se shtëpitë e dyta apo të treta të një individi apo familjeje nuk do të taksohen me koeficient më të lartë – një praktikë fiskale kjo, që e përdorin shumë vende të zhvilluara por ato do të vlerësoheshin si gjithë banesat e tjera. Kjo do të ndihmonte më të pasurit e shoqërisë shqiptare, që kanë më shumë se një shtëpi.

Zbatimi

Përballë këtyre problematikave, duket e vështirë që të fillojë të zbatohet menjëherë taksa e re e shtëpive që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Por nuk është as e pamundur që të fillojë të zbatohet në mënyrë të pjesshme. Kështu, adresat e banesave në kryeqytet, sidomos pas verifikimit të fundit, të kryer nga ekipet e OSHEE-së, janë të gatshme, të paktën, për Tiranën. Burime nga Financat bëjnë me dije se ka shumë gjasa që zbatimi i taksës së re të fillojë pikërisht nga këtu, ku ndodhen edhe pjesa më e madhe e ndërtesave të vendit.  Më pas, shtrirja do të kryhej gradualisht në të gjithë vendin, duke nisur nga hapësirat e tjera urbane drejt zonave rurale.

Kjo do të ishte një sfidë e vërtetë për administratën, duke marrë parasysh vështirësitë, që i përmend edhe FMN-ja.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com