Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me banorët e prekur nga ndërtimet infrastrukturorë në zonën Vlorë Orikum, të cilët i kanë pranuar se askush nuk është konsultuar me ta.
Sipas Metës, çdo shqetësim i banorëve do të vlerësohet, ndërkohë që ka vijuar më tej duke thënë se ku nuk ka transparencë, ka gjithmonë paligjshmëri.
Reagimi i Presidentit Meta:
Ju përgjigja me shumë përgjegjësi kërkesës së banorëve të Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit, për t’u takuar e biseduar hapur me ta lidhur me projektet infrastrukturore të parashikuara të realizohen në zonën Vlorë-Orikum.
Më njohën me shqetësimin e drejtë se deri tani asnjë autoritet shtetëror, qendror apo vendor, nuk është konsultuar me ta, aq më tepër t’i ketë dëgjuar propozimet për zhvillimin e pronave të tyre dhe të zonës në tërësi, që ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe turistik.
Çdo zë banori, çdo vërejtje apo sugjerim, duhet të dëgjohet, të mbahet shënim dhe të vlerësohet. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të zonave bregdetare, nëse nuk respektohet e drejta e pronës.
Kjo është detyrë primare për Qeverinë edhe në hartimin e implementimin e projektit të “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”. Çdo projekt duhet të jetë i mirëmenduar dhe të respektojë të drejtat themelore kushtetuese të banorëve dhe pronarëve. Fatkeqësisht, klientelizmi dhe neglizhenca ndaj interesave të banorëve, kanë sjellë shkelje të parimeve të barazisë përpara ligjit, cenim të të drejtave legjitime dhe të drejtën e tyre për një proces të rregullt ligjor. ATY KU NUK KA TRANSPARENCË, KA GJITHMONË PALIGJSHMËRI!
blob:https://www.facebook.com/9c5609dd-1882-4b9f-be04-7a22fce9f143