Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë, dy ditë pas skandalit të sanitares-mashtruese të spitalit Covid 2, e cila akuzohet se i ka marrë vajzës së një pacienteje, 8 mln lekë të vjetra, duke u hequr si inferimere, për një shërbim më të mirë.
Gjatë një inspektimi në qendrën e re shëndetësore nr.1 në Tiranë, Rama ka thënë se bëhet fjalë për një rast të izoluar.
Sipas, tij, është e rëndësishme që sanitarja Tira Alldervishi nuk ka pasur lidhje me mjekë dhe inferimerë.
“Jam mirënjohës për mjekët dhe infermierët, sidomos për ato që punojnë këtu dhe në këtë situatë kaq të ngarkuar. Jam i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares që cenon imazhin, reputacionin dhe punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe krijon perceptimin që kjo është një mënyrë e të punuarit. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer në atë ngjarje është puna e bërë nga gazetarët investigativë, se kanë nxjerrë në pah një llum, tejet të papërtypshëm. Do thoja që investigimi i tyre nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte i lidhur me mjekët dhe të ishte zinxhir”.
Për shefin e qeverisë, skandali është një kambanë alarmi për shoqërinë, edhe pse raste të tilla janë të pashmangshme për të ndodhur.
“Duhet të jetë një kambanë alarmi, për njerëzit që janë në alarm, që nuk duhet të ndjekin rrugë të tilla se ne jemi në dispozicion, – tha Rama. – E dimë që nuk ka ‘pyll pa derra’, siç nuk ka asnjë sistem ku s’mund të gjenden fundërrina të tilla, por kjo nuk e zhbën sakrificën dhe madje në këtë rast heroizimin. Disa nga kolegët tuaj kanë humbur jetën dhe ju jeni më të ekspozuarit dhe jo vetëm nuk keni lënë njeri rrugëve, por keni përballur rrezikun, edhe pse ju janë kanë garantuar mjetet mbrojtëse”.
Ndërkohë, Gjykata e Tiranës caktoi më herët ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për sanitaren e Covid 2, Tire Alldervishi, me akuzën e mashtrimit më shumë se një herë. Për fat të keq, nëna e denoncueses, ndërroi jetë pas 28 ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”. /noa.al.