Loading...

Ja cilët janë shkaktarët e dhjamosjes së mëlcisë

Rritja e aktivitetit fizik dhe marrja e ushqimeve në mënyrë të balancuar, janë këshillat kryesore që mjekët japin për eliminimin e problemit

Mëlçia e dhjamosur është grumbullimi i yndyrave në qelizat e mëlçisë. Kjo është një nga arsyet, më të shpeshta, që në rezultatet laboratorike dhe në testet rutinë të bëra, rezulton me rritje të enzimave të mëlçisë. Mëlçia është shumë aktive në zbërthimin dhe shpërndarjen e yndyrave. Ajo i përthith ato nga qarkullimi i gjakut, i ripërpunon dhe pastaj i sekreton dhe i shpërndan në forma të ndryshme.

Një çrregullim i balancave midis krijimit, djegies dhe sekretimit të yndyrave, krijon procesin e depozitimit të tyre në qelizat e mëlçisë dhe, si pasojë, kemi dhjamosjen e saj. Kur dhjamosja shoqërohet edhe me inflamacion, atëherë kemi paraqitjen e sëmundjes së steatohepatitit, që mund të jetë alkoolike ose jo alkoolike. Çfarë duhet bërë në këto raste? Më poshtë gjenden këshilla profesionale nga mjeku i mirënjohur gastrohepatolog, Altin Cekodhima, dhe ndalet te pacientët që konstatojnë dhjamosje të mëlçisë gjatë vizitave mjekësore.

Sëmundja

Mëlçia e dhjamosur është grumbullimi i yndyrave në qelizat e mëlçisë. Ndryshe quhet hepatosteatoza ose steatoheoatitis. Për mëlçinë është normale të përmbajë disa yndyra. Kur sasia e tyre përbën më shumë se 5-10% të peshës së mëlçisë, atëherë mëlçia juaj është e dhjamosur. Shpeshherë, nuk ka simptoma për vite me radhë, ndërsa dëmtimet janë në proces të vazhdueshëm. Njerëzit mësojnë se kanë mëlçi të dhjamosur gjatë ekzaminimeve për probleme të tjera mjekësore. Yndyrat mund të dëmtojnë mëlçinë për vite ose dekada me radhë, pa shkaktuar probleme të dukshme. Kur dëmtimet bëhen të rënda ose serioze, shkaktojnë lodhje, dobësi trupore, rënie në peshë dhe konfuzion. Mëlçia është organi më i madh i trupit. Ajo kryen funksione të shumta dhe, shpesh, nuk jep shenja paralajmëruese kur është e sëmurë, deri në stadet e avancuara të sëmundjes. Prevalenca e paraqitjes ndryshon në shumë vende të botës dhe Europës. Në Europë, prevalenca e steatozës (dhjamosjes) jo alkoolike, është për 20­30% të popullatës së përgjithshme dhe 3­12% të popullatës pediatrike, kurse steatohepatiti (inflamacioni i mëlçisë), mendohet të jetë rreth 4% në popullatën e përgjithshme.

Shkaqet

Janë një sërë situatash të ndryshme, ilaçe dhe lëndë toksike (helmuese), që shkaktojnë dhjamosje të mëlçisë. Ngrënia e ushqimeve hiperkalorike shkakton depozitim të yndyrave në mëlçi. Situata të caktuara si mbipesha, diabeti dhe trigliceridet e larta, shkaktojnë dhjamosje të mëlçisë. Pacientët më të rriskuar për të patur dhjamosje të mëlçisë, janë ata të moshës së mesme dhe personat mbipeshë. Disa njerëz sëmuren nga dhjamosja e mëlçisë, pa patur asnjë nga situatat e sipërpërmendura.

Konstatimi

Mëlçia e dhjamosur mund të diagnostikohet me analiza gjaku dhe me biopsi të mëlçisë. Është një nga arsyet më të shpeshta, për një rritje të lehtë të niveleve të enzimave të mëlçisë. Imazhe speciale të marra prej ekos, skanerit dhe rezonancës magnetike, mund të sugjerojnë për dhjamosje të mëlçisë, por biopsia është e nevojshme për ta konfirmuar atë. Biopsia është teknika e marrjes së disa qelizave prej mëlçisë, – procedurë e cila kryhet me age të veçantë. Më pas, qelizat e marra ekzaminohen me mikroskop nga mjeku specialist.

Trajtimi

Mëlçia e dhjamosur, shpesh herë, nuk shkakton probleme. Në këto raste, ajo quhet asimptomatike. Humbja në peshë, kufizimi i yndyrave dhe gjimnastika tek pacientët mbipeshë, prodhon rezultate të paqëndrueshme për një kohë të gjatë, por gjithsesi është mirë të bëhen përpjekje. Dhjamosja e mëlçisë e shkaktuar prej toksikimit nga alkooli, mund të mos përmirësohet edhe pse ndërpritet përdorimi i tij. Kontrolli i mirë i diabetit, mund të reduktojë dhjamosjen e mëlçisë. Po kështu, këshillohet ulja e nivelit të triglicerideve me dietë dhe medikamente. Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme dhe të balancuar dhe rritja e aktivitetit fizik, janë këshillat që japin mjekët. Kryeni kontrolle periodike të rregullta, tek mjeku specialist i mëlçisë. Nuk ka trajtime mjekësore ose kirurgjikale për mëlçinë e dhjamosur, ose steatohepatitin jo alkoolik (NASH), por përmirësimi i dietës dhe rritja e aktivitetit fizik, mund t’ju ndihmojnë në parandalimin ose kthimin në normë të disa dëmtimeve.

Ecuria

Mëlçia e dhjamosur mund të mos shkaktojë dëmtime, por mund të çojë në infeksione të mëlçisë. Kjo situatë quhet steatohepatitis. Kur është e lidhur me abuzimin me alkool, quhet steatohepatitis alkoolik. Shpesh nuk është e lidhur me alkoolin. Në këtë rast, quhet steatohepatitis joalkoolik (NASH në anglisht). Me kalimin e kohës, mëlçia dëmtohet rëndë. Kjo situatë quhet cirrozë. Cirroza hepatike është një situatë serioze, që çon në mosfunksionimin e mëlçisë. Steatohepatitis joalkoolik është një ndër shkaqet e cirrozës hepatike.

Mëlçia kryen shumë funksione të rëndësishme, ku përfshihen:

Shpërbërja e ushqimeve;

Ruajtja rezervë e vitaminave, hekurit dhe mineraleve të tjera të rëndësishme për trupin;

Prodhimi i proteinave;

Prodhimi i lëngjeve biliare për tretjen e ushqimeve;

Shpërbërja e shumë produkteve përfshirë ilaçet, alkoolin dhe shumë helme.

Disa shkaqe të mëlçisë së dhjamosur, janë:

Përdorimi i tepërt i alkoolit;

Kequshqyerja;

Përdorimi i steroideve;

Toksiciteti nga acidi valporik;

Mbipesha;

Sindroma Cushing;

Helmet;

Marrja e tetraciklinës në doza të larta;

Shtatzënia;

Diabeti;

Hiperlipidemia

Humbje e shpejtë në peshë.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com