Loading...

Marrëdhëniet Turqi-SHBA në epokën e tyre më të ftohtë

[sgmb id=”1″]

Marrëdhëniet Turqi- SHBA, të cilat filluan të tensionohen pasi Turqia mori përgjigje negative për ekstradimin e kreut të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen, pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar, kanë hyrë në epokën e tyre më të ftohtë me hapat që SHBA-të ndërmorrën më pas.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu Agency (AA), marrëdhnëiet mes dy shteteve, të cilat datojnë që nga vitet 1800 dhe të cilat u ngritën në nivel “aleatësh” me hapat e ndërmarrë në shekullin e kaluar, janë lëkundur pas pezullimit reciprok të vizave nga Turqia dhe SHBA-të.

Pezullimi i vizave nga SHBA-të erdhi pasi autoritetet turke më 4 tetor shqiptuan masë arresti me paraburgim për Metin Topuz, punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-ve në Stamboll, i arrestuar më 25 shtator për lidhje me organizatën terroriste FETO, gjegjësisht ngjarjet e 17-25 dhjetorit të vitit 2013.

Paraburgimi për punonjësin e konsullatës u caktua në kuadër të hetimeve ndaj FETO-s, pasi për të dyshuarin ishte zbuluar se ka pasur kontakte me disa të dyshuar të FETO-s, përfshirë edhe ish-prokurorin e arratisur të FETO-s, Zekeriya Öz, dhe ish-drejtorët policorë Yakup Saygılı, Nazmi Ardıç, Mahir Çakallı dhe Mehmet Akif Üner, ndaj të cilëve është hapur procedim gjyqësor.

Topuz u paraburgos nën akuzat “përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues”, “spiunazh” dhe “përpjekje për ta përmbysur qeverinë e Turqisë”.

Pas këtij paraburgimi, fitili i tensioneve u ndez me pezullimin e procedurave të vizave, fillimisht nga SHBA-të, e më pas edhe nga Turqia.

Ky tensionim i marrëdhënieve, i cili u cilësua si “tensionimi më i madh brenda dhjetra vitesh mes dy aleatëve të NATO-s”, sinjalet i kishte dhënë edhe më herët.

Teksa më 15 korrik të vitit 2016 u përball me tradhtinë më të madhe në historinë e saj, Turqia njoftoi tërë botën se prapa kësaj tradhtie qëndron Fetullah Gylen, i cili jeton në Pensilvani të SHBA-ve.

Përmes dokumenteve voluminoze që u përpiluan nga gjykatat e pavarura të Turqisë pas shtypjes së puçit, Turqia kërkoi nga SHBA-të ekstradimin e Gylenit, duke mos marrë përgjigje pozitive.

Përderisa Turqia nuk mori përgjigjen e kërkuar nga një shtet mik dhe aleat, SHBA-të, nga ana tjetër, vazhduan t’i tensionojnë marrëdhëniet me hapat që hodhën.

Marrëdhëniet u tensionuan pas lejes për hetimin e 15 truprojave të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan lidhur me ngjarjet që ndodhën gjatë vizitës së tij në Washington.

Gjatë qëndrimit zyrtar, simpatizantë të organizatës terroriste PKK u mblodhën para Ambasadës së Turqisë në Washington dhe sulmuan shtetasit turq, ndërsa truprojat e presidentit Erdoğan intervenuan gjatë incidentit. Kohë më pas, ndaj 19 personave, përfshirë 15 pjesëtarë të sigurisë turke, u hap hetim dhe u përgatit aktakuzë.

Pas kësaj, nuk vonoi reagimi nga ana e Turqisë. Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Turqisë shprehu shqetësimit për pranimin e aktakuzës në fjalë.

Ndihma me armë për organizatën terroriste

Në tensionimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, të cilat për herë të fundit ishin tensionuar pas operacionit turk për paqe në Qipro në vitin 1974, së fundmi ndikuan edhe ndihmat ushtarake që SHBA-të ia ofruan organizatës terroriste PKK/PYD në Siri.

Edhe pse Turqia disa herë ka paralajmëruar dhe është shprehur se armët e ofruara për këtë organizatë mund të përdoren kundër Turqisë, SHBA-të deri më sot i kanë dërguar organizatës terroriste afër dy mijë mauna me armatim dhe pajisje ushtarake, ndërsa kjo gjendje pengoi përmirësimin e marrëdhënieve.

Marrëdhëniet Turqi-SHBA ishin të tensionuara edhe lidhur me tërheqjen e organizatës terroriste PYD në perëndim të lumit Eufrat. Këto kërkesa të Turqisë që vazhduan për një kohë të gjatë, hasën në vesh të shurdhër të SHBA-ve. Rrjedhimisht, prania e organizatës terroriste ende vazhdon në këtë rajon.

Mburoja e Eufratit, Idlibi dhe sistemi S-400

Në vendimet e SHBA-ve thuhet se hapat e Turqisë në Siri dhe Irak për sigurinë kombëtare, veçanërisht Operacioni Mburoja e Eufratit, kanë qenë efikase.

Megjithatë, teksa flitej se SHBA-të do të intervenonin së bashku me PYD-në në rajonin e Idlibit me arsyetimin për të luftuar Al Kaedën, marrëveshja Turqi-Iran-Rusi dhe operacionet e kryera në rajon thuhet të kenë prishur planet e SHBA-ve. Natyrshëm, kjo gjë reflektohet edhe në marrëdhëniet dypalëshe.

Një tjetër zhvillim që u përfol në arenën ndërkombëtare dhe NATO ishte sistemi i mbrojtjes raketore S-400, të cilin Turqia planifikoi ta blejë nga Rusia.

Reaguesit më të zëshëm ndaj blerjes së sistemit ishin SHBA-të dhe shtetet perëndimore, të cilët pohuan se sistemi nuk është në përputhje me sistemet e NATO-s, ndërkohë që u njoftua se Turqia kishte dhënë kapar për raketat.

Dokumenti lidhur me Batmaz, njeriun e dytë të FETO-s

Derisa vazhdonin kritikat ndaj SHBA-ve për mosekstradimin e kreut të FETO-s, një dokument lidhur me Kemal Batmaz, një nga figurat kyçe gjatë tentativës për grusht shteti i cili u kap nga kamerat e sigurisë në bazën Akıncı, lëkundi edhe më tepër marrëdhëniet.

Bëhej fjalë për një dokument të shfaqur ditë me parë lidhur me Batmaz, i cili gjatë kontrollit nga zyrtarët amerikanë në Newark në New Jersey të SHBA-ve më 1 janar të vitit 2016, kishte deklaruar se “do të qëndronte në Pensilvani te Fetullah Gyleni”.

Dokumenti zyrtar amerikan hedh dritë në faktin se Kemal Batmaz, i cili gjendej në qendrën e puçit në Bazën Akıncı, ka pasur lidhje të afërta me Fetullah Gylenin. Me këtë dokument, opinioni publik mësoi se gjashtë muaj para tentativës për grusht shteit, Batmaz ka qëndruar si mysafir në vilën e Gylenit në SHBA.

“Vendimi për pezullimin e vizave”

Duke folur për AA lidhur me zhvillimin e fundit, vendimin për pezullimin e vizave nga SHBA-të, zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Turqi, Naci Bostancı, e cilësoi këtë hap si “vendim drejtpërdrejt ndaj popullit”.

Bostancı thotë se afrimi mes Turqisë dhe SHBA-ve ndodhi me sjelljen në Stamboll të kufomës së ambasadorit turk Münir Ertegün në vitin 1946 nga ana e Flotës së Misurit, pasi kishte ndërruar jetën në Washington.

Duke theksuar se mes Turqisë dhe SHBA-ve ka një miqësi dhe partneritet strategjik 70-vjeçar, Bostancı vlerëson: “Natyrisht, kjo është afërsi që është parapëlqim i politikbërësve, e nga ana tjetër edhe rezutat i fatit të pashmangshëm i dy shteteve brenda kushteve botërore”.

Bostancı shton se është e natyrshme që mes shteteve kohë pas kohe të ketë batica dhe zbatica.

“E dimë se sot në botë ka çështje për të cilat nuk pajtohemi, bazuar në zhvillimet aktuale në rajon dhe kushtet e reja botërore. Këtë gjë e konsiderojmë si të zakonshme”, tha ai, duke shtuar se megjithatë, është i nevojshëm kujdes në mosmarrjen e vendimeve të gabuara kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të dy shteteve.

“Vendimi për vizat është vendim drejtpërdrejt ndaj popullit. Shpresojmë që dy shtetet që tani do të afrohen drejt një vendimi të përbashkët duke marrë në kosnideratë edhe aleancën mes tyre dhe do ta shqyrtojnë këtë vendim duke mos neglizhuar se edhe mbështetja e popujve është e rëndësishme në sistemin demokratik”, shtoi ai.

“Front kundër Turqisë”

Ufuk Ulutaş, Drejtor i Studimeve të Politikave të Jashtme pranë Fondacionit për Studime Politike, Ekonomike dhe Shoqërore (SETA), thekson se politika e brendshme e SHBA-ve është e copëtuar.

“Ky copëtim, u jep liri lëvizëse shumë klikave në SHBA”, thotë Ulutaş, duke shtuar se nga ku copëtim më së shumti ka përfituar “fronti kundër Turqisë”.

Ai thotë se “dobësia e Shtëpisë së Bardhë për të ndikuar në institucionet e tjera, ka shkaktuar rritjen e hapave kundër Turqisë”.

Ulutaş tërhoqi vëmendjen se çështja e PKK-së vazhdon që nga mandati i ish-presidentit amerikan Barack Obama, duke vënë theksin mbi praninë e një burokracie të ngelur që nga ky mandat.

Ai thotë se ende është duke vazhduar qëndrimi i SHBA-ve lidhur me 15 Korrikun dhe periudhën më pas, për të shtuar se nuk ka asnjë sinjal që paralajmëron ndryshim në këtë drejtim.

Po ashtu, Ulutaş shprehet se SHBA-të ende nuk e kanë kuptuar natyrën e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Një pjesë brenda Amerikës që vazhdon që nga autorizimi për vendosjen e trupave në Irak, përpiqet që ushtarakisht ta vë në pozitë të vështirë Turqinë. Nga ana tjetër janë edhe marrëdhëniet me Izraelin. Ndërkaq, një pjesë që nuk e duron dot mospajtimin e Turqisë me politikat rajonale të Amerikës përiqet të ushtrojë politikisht trysni ndaj Turqisë”, vlerëson ai.

“Trysnia ndaj Turqisë do të jetë shkak për një qëndrim mbarëkombëtar”

Në ndërkohë, Prof. Dr. Mesut Hakkı Caşın, ligjërues në Universitetin Özyeğin, e cilësoi krizën e vizave si krizën më serioze në aspektin diplomatik, politik dhe sociologjik, për arsye se, siç thotë, “është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare që një shtet aleat i NATO-s, të shpall ‘person të padëshiruar’ një qytetar të një shteti tjetër sikurse të ishte qytetar i një shteti komunist apo shteti armiqësor”.

Ai po ashtu shprehet se ndalimi reciprok i hyrjeve në shtet është në kundërshtim me rregullat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjet bilaterale për viza dhe të drejtat e njeriut.

Caşın theksoi se ky hap është tepër i rëndë dhe madje nuk zbatohet mes shteteve madje edhe në luftra, Megjithatë, ai thotë se përgjigja e Turqisë ndaj kësaj gjendjeje ishte në përputhje me mënyrën të cilën e parasheh e drejta ndërkombëtare.

Ai thotë se faktor ndikimi në këtë gjendje ka qenë edhe mosekstradimi i Gylenit, duke tërhequr vëmendjen se Amerika si shtet i madh përpiqet që ta gjunjëzojë Turqinë.

“Megjithatë, kjo trysni është në të mirë të Turqisë. Mbase vendimi i Amerikës ka dëmtuar tregtinë dhe ekonominë e Turqinë, por humbja e Turqisë i dëmton edhe më shumë interesat e Amerikës. Në efektin ‘bumerang’, Amerika del humbëse. Në fakt, Amerika shqetësohet nga qëndrimi i Turqisë lidhur me Irakun. Faktorë janë edhe afrimi me Rusinë, blerja e raketave S-400 dhe zhvillimet në Idlib të Sirisë”, shton Caşın.

“As Turqia nuk e ka luksin ta humbasë Amerikën, e as Amerika nuk e ka luksin ta humbasë Turqinë, thotë ai, duke shtuar se Turqia nuk mund të izolohet dhe se është shtet botëror.

“Turqia është forcë rajonale. Rrjedhimisht, çdo trysni ndaj Turqisë, do të jetë shkak për shfaqje të një qëndrimi mbarëkombëtar të paraqitur nga Ataturku, shka për ringritje të unitetit kombëtar në Anadoll, me të gjithë banorët e tij, turqit, kurdët, armenët”, vlerësoi Caşın për AA.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com