Gazeta prestigjioze italiane, “Corriere della Sera” i ka kushtuar një artikull të gjatë një gruaje shqiptare 37-vjeçe me origjinë nga qyteti i Kavajës.
Bëhet fjalë për Bukurie Voka, e cila tashmë punon si shofere e një autobusi në Itali. Por ajo që e bëri një simbol të emancipimit dhe integrimit të femrës, sidoqoftë, është shamia që mban në kokë.
Me anë të profesionit të saj, por edhe sjelljes, Bukuria ka dashur të thyejë çdo paragjykim që ekziston, duke dashur të jetë thjesht një grua që ka gjetur vendin e saj në këtë botë.
“Ajo që bëj, për mua është shumë më tepër sesa thjesht një punë, sepse çdo ditë kam sigurinë të jem e dobishme për njerëzit”, – thotë gruaja shqiptare.
E divorcuar dhe me një vajzë, ajo arriti në Itali 13 vjet më parë, duke ndaluar në Bolonjë përpara se të vendosej përgjithmonë në Merano rreth një dekadë më parë. Një lokalitet që ndodhet në Alto Adige, në provincën e Bolzanos.
Pastaj, duke filluar nga gushti 2019, vjen pika e kthesës: ajo u punësua si drejtuese autobusi. “Para se të merrja autobusët, në fakt, unë punoja në një depo frutash në Gargazzone”. Një trajektore njerëzore, ajo e Bukuries, e cila kapërcen pengesat dogmatike dhe klishetë arkaike.
Si myslimane, si ndiheni që jeni bërë simbol i emancipimit dhe integrimit femëror?
Jam e lumtur nëse njerëzit më shohin si një simbol pozitiv. Sidomos nëse historia ime mund t’u japë shumë grave që përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre pa u kushtëzuar aspak. Duke thënë këtë, duhet të them se gjatë shumë viteve që kam jetuar këtu, unë kurrë nuk jam ndjerë e përjashtuar ose viktimë e racizmit.
Si lindi kjo zgjedhje për t’u bërë shofere autobusi?
Ishin dy momente vendimtare. E para ka ndodhur kur isha duke punuar në Gargazzone. Atje, shpesh mbaroja vonë dhe nëse nuk mund ta kapja autobusin në kohë, për mua do të thoshte të prisja një orë në të ftohtë ose në errësirë. Një ditë rastësisht u vonova, por shoferi, duke më parë duke vrapuar, ishte aq i mirë sa më priti. Një gjest që disa mund ta konsiderojnë banal, por që nuk e kam harruar kurrë. Arsyeja e dytë është takimi me shoqen time Maria, e cila ishte shofere. Ajo vazhdonte të më thoshte provoje … provoje … derisa u binda vërtet ta bëja.
Dhe si e priti familja juaj në Shqipëri?
Prindërit e mi ishin mjaft të befasuar, sepse në fillim nuk u tregova. Unë u përmbajta paksa, duke mos ditur se si ata do të prisnin lajmin. Pastaj, duke e parë veten entuziaste për punën dhe të sigurt për atë që po bëja, vendosa t’i tregoja atyre për këtë. Ata më kuptuan dhe më mbështetën, gjithashtu sepse ndiheshin të lumtur dhe të qetë.
A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë reagim me shije të keqe nga ndonjë koleg në lidhje me faktin se jeni një shofere femër dhe për më tepër me shami?
Jo, përkundrazi … një miqësi është krijuar gjithashtu me shumë prej tyre. Unë do të thoja që ata janë të lumtur që më kanë në punë. Pastaj, të gjitha gratë, pavarësisht nga përkatësitë e tyre fetare, kanë të drejtë të bëjnë atë që duan të përmbushin veten si njerëz. Për shembull, unë me të vërtetë i admiroj gratë police.
Nga udhëtarët?
Jo drejtpërdrejt. Në përgjithësi, udhëtarët janë shumë të mirë dhe të respektueshëm ndaj meje.
Çfarë atmosfere ka në kompani dhe çfarë vlerësoni më shumë për këtë mjedis multikulturor?
Ekziston një humanizëm i madh. Tek ne nuk është e rëndësishme nga vini, por si dukeni dhe si silleni.
Si mendoni se do të shihej një grua me shami duke drejtuar një autobus në Shqipëri?
Sinqerisht nuk e di. Ndoshta do të dukej e çuditshme, por do të doja që ajo të trajtohej me respekt, pikërisht siç ndodh në Itali. /noa/al/