Në konferencën e përjavshme për shtyp, “Ekonomia në Fokus”, kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc sa i takon sistemit të Vettingut.
Rama u shpreh se deri më tani janë larguar 202 gjyqtarë e prokurorë që nuk e kaluan procesin e Vettingut dhe se janë konfirmuar 118.
Sipas tij, ata do të japin përgjigje patjetër përpara drejtësisë në një të ardhme të afërt.
“Deri më sot, në total, janë rivlerësuar në filtrin e vettingut 322 individë, prej të cilëve më shumë janë shkarkuar, se sa janë konfirmuar. Plot 128 individë të shkarkuar drejtpërdrejt dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces me siguri me vetëdijen e pamundësisë për ta kaluar filtrin, – tha Rama. – Ndërkohë që 118 janë konfirmuar. Kemi 202 individë të larguar dhe 118 të konfirmuar. Është një shifër domethënëse, kuptimplotë për të pasur një pamje të thellësisë së pastrimit të sistemit”.
Rama theksoi se kjo është vetëm një anë e medaljes. Ana tjetër, shtoi ai, ka të bëjë me faktin se çfarë ndodh me të larguarit.
“Paralelisht me pastrimin, ka vijuar dhe po konsolidohet procesi i ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, ata që nuk kanë mundur të justifikojnë pasuritë marramendësi apo pasuri shumë më tepër mbi mundësitë legale të tyre, do të përgjigjen përpara drejtësisë. Nga kjo do të konfirmohet edhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë. Fjala kyç në këtë proces është durimi, sepse bëhet fjalë për të ndërtuar nga themelet një prej 3 pushteteve që përcaktojnë 3 shtyllat e sistemit demokratik, pushtetin gjyqësor”, – shpjegoi Rama. /noa.al/