Qarqet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës panë rritjen më të lartë vjetore të papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare që referohen nga Anketa e Forcave të Punës.
Të dhënat mbi papunësinë sipas qarqeve, tregojnë se Shkodra shënoi një rritje të treguesit në tremujorin e tretë me 6.4 pikë përqindje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 15%, nga 8.6% në tremujorin e tretë 2019. Qarku i Shkodrës gjatë këtij tremujori ka qenë më i godituri nga pandemia Covid-19, si në numrin e lartë të infektimeve, ashtu edhe të fataliteteve.
Pas Shkodrës, Vlora ishte qarku i dytë më rritjen e më të lartë të papunësisë, me 3.3 pikë për qind (pp) në raport me një vit më parë, e ndjekur nga Korça me 2.4 pp rritje, Lezha me 2.4 pp përqind, Elbasani me 1.6 pikë pp dhe Berati me 0.5pp.
Në krahun tjetër, Dibra dhe Gjirokastra shënuan rënie të normës së papunësisë në raport me një vit më parë, përkatësisht me 3 dhe 1.9 pikë për qind.
Më shumë se sa përmirësimi i tregut të punës, në këto qarqe ka ndikuar tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë në Dibër dhe plakjes së popullsisë në Gjirokastër.
Me tej normat e papunësisë në tremujorin e tretë shënuan rënie vjetore edhe në qarkun e Tiranës me 1.7pp, Durrësit 1.5pp, Fierit 1.3pp dhe Kukësit me 1.3pp.
Qarku me normën më të madhe të papunësisë në vend, në fund të tremujorit të tretë vijoi të ishte Lezha, me një normë prej 19.7%. Në vend të dytë ka kaluar Vlora (ishte e treta një vit më parë, pas Tiranës), me 15%, ndërsa kërcimin më të madh e ka bërë Shkodra, që ka kaluar në qarkun e tretë me papunësinë më të lartë, nga i teti që ishte një vit më parë, ndërsa Tirana zbriti e pesta.
Shkodra dhe Vlora, që panë rritjen më të lartë të papunësisë, janë ato që kanë raportuar dhe më shumë mbyllje të bizneseve. Sipas të dhënave të tjera të Tatimeve, në Vlorë mbylljet e subjekteve u dyfishuan, gjatë periudhës 1 maj – 31 tetor (në raport me të njëjtën periudhë 2019), duke i kaluar 520 biznese, që kanë pushuar së ushtruari aktivitetin e tyre. Në Shkodër, janë 65% më shumë subjekte të kaluara në status pasiv, duke arritur në 414.
Në tremujorin e tretë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri ishte 11,6 %, sipas INSTAT. Në terma vjetorë, treguesi u rrit me 0,2 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,4 % dhe për gratë 11,8 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat është në të njëjtin nivel, ndërsa për gratë është rritur me 0,4 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 20,7 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në ulje. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2020, është 0,7 pikë përqindje më e ulët.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 0,7 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,0 %.
Në terma vjetorë, ky tregues është rritur me 0,5 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë, shkalla e papunësisë u ul me 0,5 pikë përqindje. /Monitor/