Edhe Shqipëria, ashtu si pjesa më e madhe e Europës dhe jo vetëm, ka vendosur ndërprerjen e çdo fluturimi drejt Britanisë së Madhe, duke filluar nga nesër, deri në 6 janar 2021, për shkak të zbulimit të një mutacioni të ri të Covid-19 në këtë shtet.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një deklarate për shtyp së bashku me Komitetin Teknik të Ekspertëve në vend.
Kështu pra, është vendosur dy javë karantinë kush hyn në Shqipëri nga Britania dhe nga vende që kanë fluturime të hapura me këtë shtet.
“Nisur nga rekomandimet e ekspertëve, për të kufizuar më tej riskun e përhapjes së lartë të transmetimit shkaktuar nga varianti ri, kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe nga ora 06 e mëngjesit të ditës së martë, 22 dhjetor, deri në 6 janar. Po ashtu, vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14 ditë për qytetaret që vijnë nga Britania e Madhe nga rrugë të tjera, si rrugë tokësore”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Më herët, Gjermania, Franca, Italia, Norvegjia, Turqia, Kanadaja, Maqedonia, por edhe Argjentina, Kili e Maroku, kanë pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe. /noa.al/
