Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka konfirmuar lajmet që qarkullojnë në media se Lulzim Basha ka përfituar nga biznesmeni ndërtues Agron Papuli një vilë në Long Hill. Atje kreu i PD-së jeton me familjen e tij.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Top Talk” ka folur kryesisht për aktualitetin politik dhe social në vend.
Kur gazetari Denis Dyrnjaja e pyeti për Bashën dhe lidhjet e tij për oligarkët, Kryemadhi tha se ka qenë vetë në vilën e tij.
Ndërkohë, vetë Kryemadhi ka një vilë luksoze në Gjirin e Lalzit, shumë afër me vilën e ish kryeministrit Sali Berisha.
Dyrnjaja: Pse mendoni se shqiptarët duhet të heqin Edi Ramën, që thonë se bashkëpunon me oligarkët, dhe të vënë kryeministër Lulzim Bashën që po bashkëpunon me oligarkët, janë në të njëjtat ujëra?
Kryemadhi: Unë nuk jam këtu të bëj avokatin e askujt, por s’është e njëjta gjë. Basha jeton atje në një vilë me qira…
Dyrnjaja: Si e thoni kaq thjesht, vilë me qira, sikur të jetë një apartament…
Kryemadhi: Shiko, unë kam qenë të vila e Bashës, hyn të vilat modeste, që nuk ka ndonjë luks apo gjëra shtesë që të jetë luksoze. Përpara se të japi llogari Basha duhet të japin llogari këta zengjinat e tjerë. Nëse s’të pëlqen Kryemadhi dhe Basha voto dikë tjetër./NOA.al