Me rastin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga forcat n azi-fashiste, presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh për brezat e rinj, që gjithnjë sipas tij duhet t’i përkujtojnë dhe nderojnë me respekt patriotët që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Meta nderoi figurat e shquara të kësaj lëvizjeje për çlirim, teksa ka kujtuar edhe Margarita Tutulanin në një episod kur i shkruante të vëllait se: “Atdheu na duhet që të jemi të lirë”.
Postimi i plotë i Ilir Metës
“Ne sot, përulemi me nderimin më të thellë para Qemal Stafës, Vojo Kushit, Margartia Tutulanit e gjithë atyre yjeve dhe Margaritave, që dhanë jetën e tyre me ndërgjegjeje të plotë, për të treguar pavdekësinë e Shqipërisë, si një shtet i lirë dhe i pavarur.
Sot, më kujtohen pikërisht ato çfarë Margarita Tutulani i shkruante në hartim në moshën 16 vjeçare vëllait të saj më të vogël, i cili e pyeste: Motër, po për çfarë na duhet Atdheu?
Ajo i përgjigjet: Vëllaçko, kur të rritesh do ta kuptosh, por Atdheu na duhet që të jemi të lirë.
Mendoj që ky mesazh vjen nga një edukim patriotik i këtyre të rinjve dhe të rejave, nga familjet e tyre, nga prindërit e tyre, nga paraardhësit e tyre.
Sot, ne jo vetëm duhet të kujtojmë këta heronj e atdhetarë, por dhe veteranë, që kanë luftuar për çlirimin e Shqipërisë dhe që ju urojmë jetë të gjatë, por, njëkohësisht edhe duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi edukimit patriotik të qytetarëve, të fëmijëve, të të rinjve dhe forcimit të ndenjave të atdhedashurisë.