Loading...

Elton deda: ‘Në këto kushte pa punë jam treguar i mençur, kam kursyer disa para dhe thjeshtë jam duke tretur dhjamin tim’

Afro 8 muaj pa ushtruar aktivitetin e tyre, pa mbështetje financiare dhe mbi të gjitha të paqartë mbi detyrimet ligjore që duhet të kryejnë për t’u njohur si artistë të pavarur.

Muzikantët e “live”-it, pas aktit normativ të fillimtetorit që ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, “lounge bar”-eve dhe muzikës pas orës 22:00, janë lënë pa një rrugëzgjidhje, përballë detyrimeve tatimore e jetësore që nuk presin.
I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, kantautori i njohur, Elton Deda ka rrëfyer vështirësitë që has ai në ushtrimin e profesionit në këtë periudhë.

“Vjen një moment që në këto kushte, nuk kemi ç’të bëjmë më. Është një pandemi botërore, një situatë shumë e keqe në të gjithë botën dhe ne duhet të përshtatemi me këtë gjë. Nuk do përshtatemi duke u rialokuar, por me disa platforma, të cilat fatkeqësisht do fillojnë ta zvogëlojnë pak publikun.

Derisa kjo flamë të marrë fund, ne do përfundojmë që njerëzit të na ndjekin përmes real-time ne duke luajtur në një studio. Do sajohen gjëra”, tha ai.
Alban Dudushi: Ti je një njeri që jeton me artin tënd. Si po jeton në këto momente?

Elton Deda: Në këto momente… është një asfiksi dhe sinjali im i mençur… mendoj që në këto kushte jam treguar i mençur, kam kursyer disa para dhe thjeshtë jam duke tretur dhjamin tim.

Deda u shpreh optimist duke shtuar se, së shpejti do përqafohemi dhe do t’i rikthehemi jetës normale.

“Bota, nuk është hera e parë që po përjeton një gjendje pandemie, ka patur edhe herë të tjera. Ne jemi qenie e përshtatshme, ama anën sociale nuk do ta bëjmë robotike dot, të paktën dhe për disa vjet.

Është një fat i mirë ky lloj globalizmi, sepse filluan kërkimet për vaksinën. Shumë shpejt do kemi një vaksinë, jam shumë i bindur për këtë, sepse ka gjunjëzuar gjithë botën, jo vetëm Shqipërinë.

Në momentin që do dalë vaksina, psikologjia e njerëzve ndryshon, rastet ulen dhe baret avash avash do të hapen dhe unë jam i bindur që nga prilli ose nga maji do kemi edhe koncerte. Do t’i rikthehemi një jete ashtu siç e kemi patur.

Disa gjëra do ndyshojnë tek ne, por ne prapë do përqafohemi nëpër klube, njerëzit do bëjnë qejf, sepse është një anë njerëzore”, tha ai.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com