Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat anti-Covid, për të shmangur një përkeqësim të situatës në vend. Në një bashkëbisedim me mediat, Rama u shpreh se një mbyllje e dytë do të kishte pasoja te qytetarët, por edhe në ekonominë e vendit.
“Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar dhe qytetare e këtij vendi të vetëdijësohet që kanë një rol për të luajtur në këto dy drejtime. Së pari, për të ruajtur shëndetin e tyre dhe të miqve dhe gjithashtu të japin një kontribut për të ndihmuar në luftën që bëhet në vijën e zjarrit, ku trajtohen pacientët e prekur me Covid dhe kanë simptoma të rënda. Qoftë edhe për të shmangur një mbyllje, që do të kishte pasoja të padëshirueshme në çdo aspekt, sigurisht edhe në atë ekonomik”, deklaroi Rama.
Më pas, Rama theksoi se shkollat nuk konsiderohen një vatër e nexhtë, por një hapësirë që kanë mënyrën e vet të rrezikut, që sipas tij, do të thotë se “masat duhet të vijojnë të merren në çdo shkollë, siç po ndodh aktualisht. Pastaj, nëse mbyllen, është një vendimarrje që i takon autoriteteve tona, nuk na takon ne si qeveri”. /noa.al/