Mjekë dhe infermierë që prej fillimit të pandemisë, qëndrojnë në shërbim të pacientëve me Covid-19, por kjo periudhë duket më e ngarkuar dhe akoma më e vështirë, si kudo tjetër në rajon.
Beteja e vërtetë me këtë virus tinzar sipas tyre nuk fillon në spital.
Sot u raportuan mbi 420 të shtruar gjithsej me Covid si asnjëherë tjetër dhe teksa spitalet po mbushen, me shtimin e të infektuarve, mjekët apelojnë që njerëzit të zbatojnë masat para se të sëmuren.
Silvana Bala, drejtuese e Shërbimit të Pneumologjisë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në një mesazh të shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, bën apel për respektimin e masave të thjeshta.
Ajo shprehet se lufta bëhet nga çdo person në përditshmërinë e tij.
“Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur shëndetin tuaj. Por të dashur qytetarë, lufta kundër Covid nuk fillon në spital. Ajo bëhet pikësëpari nga çdonjëri prej jush në përditshmërinë tuaj.
Mjafton zbatimi i masave të thjeshta, për të qenë një hero: maska, distancimi, higjiena! Bashkë do t’ia dalim!”, thotë Silvana Bala./NOA.al