Ai qëndronte gjithnjë në këmbë te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” siç njihet në Tiranë, por që tani e tutje, drejtuesit e makinave që e hasnin në rrugë, por edhe kalimtarët nuk do ta shohin më.
Personazhi mjaft i njohur në kryeqytet, i njohur si “Ver Llapa”, ka ndërruar jetën nga koronavirusi. Të gjithë e njihnin Verin dhe ai ishte një prej personazheve më dashura në Tiranë, për mimikën e veçantë, ku shpesh me gjuhën e tij, përqeshte mjerimin dhe i bënte të tjerët për të qeshur.
Ai ishte i varfër dhe bukën e gojës e siguronte nga paratë që i jepnin shoferët e makinave te “21 Dhjetori”.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar për Integrimit e Jetimëve, shoqëruar edhe me një përkushtim plot dashuri dhe vlerësim.
Mesazhi i Ilir Çumanit
“PËRSHPIRTJE PËR NJERIUN E MIRË….
Jetove në mes tonë duke e sfiduar mjerimin tënd të bardhë në këtë botë hipokrite, tinëzare e të marrë fund, duke u tallur aq bukur e mençurisht me ironinë e fatit, gjithë gazmend e stoik, plot indiferentizëm e shpërfillje në gjithë këtë realitet absurd, ku bashkëjeton në mënyrë të pistë dhe absurde superluksi i pakicës së pushtetshme të korruptuar me mjerimin masiv të shumë të ngjashmëve të tu, si për të treguar se asgjë në këtë jetë nuk është e pafundme…
Ndaj, asgjë nuk duhet marrë seriozisht… Ishe engjëlli më i bukur dhe më i pafajshëm mbi këtë tokë, një dëshmi e gjallë ku luhet drama Njerëzore, shkaktuar prej makutërve të panginjur e zemër katranë të pashpirtë, por të pangjashëm me pafajësinë dhe shpirtin tënd naiv, të bukur e të dëlirë….
Ik VERI…., prehu i qetë prej gjithë atij stërmundimi e përvuajtje të paepur që dëshmove në jetën tënde, ishte një sakrificë sublime prej cigani e bohemi që aq shumë ta doja e ta adhuroja… Pusho në Paqe o NJERI i mrekullueshëm i Zotit. R.I.P”. /noa.al/