Zv. kryeministri Erion Braçe iu kërkon lojtarëve të kombëtares Shqiptare që të dhurojnë paratë e fituara, ditën e sotme, pas triumfit përballë Bjellorusisë, për riparimin e tapetit të stadiumit kombëtar.
Teksa të gjithë politikanët e tjerë përgëzuan kuqezinjtë për fitoren 3-2, numri dy i qeverisë vjen me propozimin e çuditshëm, pasi ekipi u ankua për barin e fushës para ndeshjes.
Ai duket se inatin rreth këtij propozimi e ka nxjerrë ndaj kreut të FSHF-së, Armand Duka.
Kombëtarja doli e para e Grupit 4 në Ligën C dhe fitoi edhe çmimin 1.125 milionë euro nga UEFA, shumë kjo që ishte parashikuar për triumfuesin.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Braçe thotë se kjo arritje ishte me zemër në dorë dhe pa dominim, edhe pse, sipas tij, të gjithë skuadrat e tjera ishin më të dobëta se Shqipëria.
“Vetëm kaq? Bravo deri këtu por, me zemër në dorë e mbi të gjitha pa dominim, për pasojë edhe pa playoff që është një shkallë më lart se kaq!”
“Dhe ishin të gjithë më të dobët se ne, se ju! Liga e re është krejt tjetër standard; aty çdo bëni?”
“Individualisht-tek e tek jeni të denjë për aty; por aty duhet ekipi, ai që mbron, lufton e fiton në çdo centimetër! Ju keni shansin të hapni një cikël 10 vjeçar që duhet të jetë super, për ju, për ne tifozët, për Shqipërinë; rrituni bashkë e me fitoret!”
“Aaaa po, që të mos harroj; paratë të cilët do rrjedhin nga fitorja e sotme-vendi i parë, kërkoni të mbeten në këtë fushë, aty, për ta bërë njëherë e mirë një fushë që nuk pengon cilësinë tuaj!”, shkruan Braçe.
Fitorja e Shqipërisë përballë Bjellorusisë e ngjiti kombëtaren në krye të grupit 4 të Ligës C, ku bënin pjesë edhe Kazakistani e Lituania. Kjo arritje i ngjiti kuqezinjtë mes skuadrave të Ligës B të Kombeve, për edicionin tjetër . NOA.al