Thuajse pesë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend, kryeministri Edi Rama ka premtuar se brenda vitit 2021 do të ketë 24 orë furnizim më ujë të pijshëm në 55 zona të mëdha urbane dhe në vitin 2022 në mbi 200 zonat rurale më të populluara të vendit.
“Brenda pranverës së ardhshme do të hapen 70 kantiere të tjera për të garantuar 24 orë furnizim me ujë vitin e ardhshëm në 55 zona të mëdha urbane të vendit dhe pastaj në 2022 në mbi 200 zonat më të populluara rurale të vendit”.
I ndërgjegjshëm që premtimi për ujë të pijshëm riciklohet në çdo proces zgjedhor, Rama pati këtë përgjigje.
“Shumë pyesin si ka mundësi që flasim akoma për ujin e pijshëm kur bota ka shkuar në Hënë? Është e vërtetë por rrjetet e trashëguara janë rrjete të ndërtuara në vitet ’70-’80, as në vitet e komunizmit nuk është garantuar furnizimi me ujë 24 orë dhe as është ndërtuar një sistem ujësjellësi i rrjetizuar nga qendra në periferi. 25 vjet pas komunizmit kemi filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë. Është reformë terësore, një nga pesë kolonat e përcaktuar në objektivat tonë. Nuk ka të bëjë vetëm me investimet por konsolidimin financiar të ndërmarrjeve të Ujësjellësit. Kuadri ligjor dhe rregullator është përmirësuar ndjeshëm.Investimet që janë kryer për ujin e pijshëm nga viti 2014-2019 janë 514 milion euro, nga të cilat 202 milionë nga buxhetit i shtetit dhe të tjerat financime të huaja”, – u shpreh ai.
Në nivel kombëtar, Shqipëria siguron 15 orë furnizim të pandërprerë me ujë dhe me ndërhyrjet që do të bëhen, parashikohet që të arrihet në 18 orë në ditë. /noa.al/