[sgmb id=”1″]
Arbitra nga Rusia dhe Norvegjia për Kombëtaren, për dy ndeshjet e fundit kualifikuese në Botërorin 2018. Duelin me Spanjën në Alikante, më 6 Tetor, UEFA ia ka besuar rusit Aleksei Eskov, ndërsa asistentë janë Dmitri Mosyakin dhe Igor Demeshko. Eskov është një ish-futbollist profesionist, që mban stemën e FIFA–s prej vitit 2011. Interesant është fakti se bilbili rus drejtoi duelin e 2 Shtatorit të Grupit G, ku Maqedonia fitoi 0-1 në Izrael.
Ndeshja e fundit në këto kualifikuese për Kombëtaren, ajo e 9 tetor në Loro Boriçi përballë Italisë do të gjykohet nga një treshe norvegjeze, me kryesor Svein Oddvar Moen. Bëhet fjalë për një prej arbitrave më të mirë skandinavë, që mban stemën e FIFA-s në moshë fare të re dhe gjykon në nivelet më të larta ndërkombëtare prej 12 vjetësh. Moen ka marrë pjesë në Botërorin Brazil 2014 si arbitër i katërt, ndërsa në Europianin 2016 në Francë ka drejtuar dy ndeshje të fazës së grupeve, Uells-Sllovaki dhe sfidën ndërmjet Ukrainës dhe Polonisë, përcjell Albeu.com.
UEFA ka publikuar gjithashtu edhe gjyqtarët për dy ndeshjet e fundit të Kosovës në Grupin I. Dueli i 6 Tetorit me Ukrainën në Loro Boriçi të Shkodrës i është besuar anglezit Craig Pawson. Bëhet fjalë për një prej arbitrave elitarë në Premier League, që ka nisur karrierën ndërkombëtare vetëm në vitin 2015, ku ndeshja më e rëndësishme që ka drejtuar ishte ajo e edicionit të kaluar në Europa League, ku Sassuolo barazoi 2-2 me Rapid Wien.
Për ndeshjen e përfaqësueses kosovare në Kekiavik, më 9 Tetor me Islandën arbitër është caktuar austriaku Harald Lechner. 35-vjeçari ka nisur karrierën ndërkombëtare prej vitit 2011, ndërsa interesant është fakti që ndeshja e tij e fundit ka qenë ajo ndërmjet Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës në fazën “play off” të Europa League, ku italianët fituan 6-0 në San Siro.