[sgmb id=”1″]
Në një seancë maratonë, e cila përfundoi pas orës 2 të mëngjesit, Kuvendi i Shqipërisë votoi pro miratimit të ligjit për strukturën dhe organikën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në Gjykatën Kushtetuese dhe të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe për klasifikimin e pagave të Komisionerit Publik, të gjitha sipas variantit të propozuar nga komisioni i ligjeve.
Kuvendi hodhi poshtë amendamentet e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për strukturën dhe organikën e këtyre organeve.
Gjithashtu u pranua edhe dekreti i presidentit të Republikës për kthimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. Deputetët e opozitës votuan pro pranimit të këtij dekreti të Presidentit, ndërsa ata të Partisë Socialiste abstenuan.
Kuvendi votoi me 73 vota pro edhe aktin normativ të qeverisë, për ndryshimet në buxhetin e vitit 2017, akt për të cilin kërkohej shumicë e thjeshtë votash.
Gjithashtu, u votuan me 127 vota pro edhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare të bashkëpunimit, me shtete si Britania e Madhe, Gjermania dhe Suedia.