Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante.
Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh se është informuar se Gjykata Speciale ka konfirmuar akuzën për krime lufte dhe kjo është arsyeja e dorëheqjes.
Pasi dha dorëheqjen, Thaçi u paraqit në zyrat e Eulex.
Kompetencat e Presidentit, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, i kalojnë kryeparlamentares, Vjosa Osmani.
“Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykatësi i procedurës parapake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje”, – u shpreh Thaçi.
“Janë këto momente jo të lehta për mua, familjen time dhe juve që më keni mbështetur. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë. Sot, më shumë se kurrë, ju lus dhe ju bëj thirrje të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada”, – shtoi presidenti Thaçi.
Më tej kreu i shtetit të Kosovës u shpreh se aktakuza kundër tij dhe bashkëluftëtarëve është çmim i vogël i radhës që duhet të paguajnë për lirinë e vendit.
“Jam me fat që jam gjallë dhe kam përjetuar ëndrrën tonë shekullore që të bëhet realitet. Jam krenar që me bashkësinë ndërkombëtare dhe aleatët tanë kemi luftuar gjenocidin e Millosheviqit dhe kemi fituar lirinë”, – theksoi Hashim Thaçi.
Më herët, Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën edhe ndaj kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Ndërsa një ditë më parë për të njëjtat akuza u arrestua ish-kryeparlajmentari, Jakup Krasniqi.
/NOA.al