Loading...

‘Dhjetë arsye përse kam të drejtë’

Jozefina Topalli, ish nënkryetarja e PD-së dhe ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, vendosi pak ditë më parë të rikthehej në politikë.

Ajo pas largimit nga PD vendosi të krijojë një parti të re, me emrin: Lëvizja për Ndryshim.

Topalli pas krijimit të partisë është pritur disi me skepticizëm, madje sulmuar dhe është kritikuar, por një artikull i botuar sot në gazetën Fjala, me autor Roland Qafoku, ka pretenduar të kundërtën.

“Një falenderim të sinqertë për shkrimin e sotëm të gazetarit Roland Qafoku, të botuar tek gazeta FJALA”, tha Jozefina Topalli, në reagimin e saj, duke bërë publik edhe shkrimin.

Cili ishte artikulli i Roland Qafokut, për Jozefina Topallin?

10 arsye përse Jozefina Topalli ka të drejtë!

Rubrika, Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

E përjashtojnë. E sulmojnë egërsisht. E anatmetojnë. Ata që nuk kanë lidhje me të djathtën e akuzojnë se është e shitur te e majta. Për të majtët, edhe pse u intereson kjo përplasje, Topalli çalon shumë për të qenë pjesë e planeve të tyre.

I thonë e ç’nuk i thonë dhe më pas po këta syresh konkludojnë se Jozefina Topalli, jo thjesht po gabon, por është armikja kryesore e PD-së.

Pikërisht nga këto pseudoargumente mund të themi se Jozefina Topalli ka të drejtë që çke me të. Ka të drejtë për atë që përfaqëson, për atë që është, për atë që ka dhënë dhe për atë që ajo beson.

Sigurisht që në karrierën e saj që çke me të ka bërë edhe gabime, të cilat mendoj që nuk e nderojnë, por ato nuk kanë qenë asnjëherë faje dhe që fakti që i ka pranuar edhe me gojën e vetë i japin shumë pikë.

Por, janë të paktën 10 arsye të forta që i japin të drejtë të vetmes grua në historinë e shtetit shqiptar që ka fituar epitetin “gruaja e fortë”.

E gjitha kjo, jo vetëm për karrierën partiake, jo vetëm se është femra e parë shqiptare që ka mbajtur një post kaq të lartë dhe kaq të rëndësishëm si kryetare kuvendi për 8 vjet por edhe pse në këtë karrierë nuk është përfolur kurrë për afera korruptive dhe abuzime me detyrën dhe mbi të gjitha se moralin e ka armën më të fortë me të cilin janë të rrallë ata që ia dalin.

E PËRJASHTUAN POR I THONË MOS FOL

Në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2017 mungonin shumë emra të kastës së vjetër të PD por më i rëndësishmi ishte ai i Jozefina Topallit.

A e imagjinoni në një moment që pas 24 vite karrierë, sakfrificë, impenjim maksimal, një grua familjare, nënë e dy fëmijëve të vegjël që i linte në shtëpi për të bërë opozitë në vititn 1997, që kishte provuar rrezikun e jetës mes breshërisë së plumbave, që ka provuar edhe pushtetin pa abuzuar me të, ka provuar përsëri opozitën, befas një ditë, vetëm me një të fshirë gome të emrit, të gjendej në rrugë.

Sigurisht që një largim edhe mund të ndodhte dhe do ishte normal për këdo. Një largim pas 24 vitesh karrierë nuk është hata. Por Jozefina Topalli nuk u largua vetë dhe nëse kjo do ndodhte mund të ishte normale. Atë e përjashtuan. Nuk iu tha asnjë fjalë. Nuk i dhanë asnjë sqarim e justifikim.

Thjesht nuk ishte në atë listë dhe në vend të saj ishin ata që sot janë në Kuvend kampionë të injorancës dhe vendosin për fatet tona. E nëse dikë e përjashton, do presësh edhe reagimin e të përjashtuarit. Dhe Jozefina Topalli ka bërë dhe po bën atë më normalen. Ka ngritur zërin sa herë që PD dhe Lulzim Basha e kanë shkelur me të dyja këmbët.

LARGIMI MË I RËNDËSISHËM

Nga Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashën ka patur jo pak hemoragji. Astrit Patozi, Arben Imami, Genc Ruli e shumë të tjerë të brezit të Berishës ishin ata që nuk u përfshinë në projektin e liderit të ri Lulzim Basha.

Por duhet thënë se largimi më i rëndësishëm ishte Jozefina Topalli. Dhe kjo për shumë arsye, mes të cilave ishte karriera e saj, besnikëria e treguar ndaj PD. Impenjimi dhe skarificat që ajo që kishte bërë në karrieren e vete politike.

Pavarësisht sukseseve, dhe arritjeve, çdokush mund të gjejë dicka te Arben Imami. Mund të thotë që ka bërë pirueta. Herë majtas e herë djathtas. Herë me PD e herë me PS pa përmendur vitin 1997 që vetëm një foto mbi tank mungon për t’ia gjetur kleçkën. Mund të thonë edhe për Patozin diçka që nuk u pëqlen.

Mund të thonë se nuk foli kur Berisha hoqi nga listat shumë eksponentë të vjetër të PD në listën e kandidatëve të vitit 2013 që nga Ilir Rusmali e deri te Fatos Hoxha. Por ç’mund të thonë për Jozefina Topallin.

Nuk pati kurrë një post ekzekutiv. Nuk ishte kurrë pjesë e pushtetit ekzekutiv. Sigurisht edhe ajo ka qenë zbulimi, zgjedhja dhe përzgjedhja e Sali Berishës në vitin 1996 kur u bë pjesë e parlamentit për herë të parë.

Por vajza e familjes Çoba ishte një dardhë nën pemë. Me trashëgiminë e të parëve, ajo justifikoi gjithçka në PD dhe çdo gjë e arriti vetë duke justifikuar edhe zbulimin, edhe zgjedhjen por edhe përzgjedhjen. Padiskutim që në aradhën e gjatë të largimeve, Jozefina Topalli ishte dhe mbetet largimi më i rëndësishëm nga radhët e PD-së që nga viti 1990.

KUR PËRJASHTOHET NJË GRUA

Tingëllon disi më ndryshe largimi në një formë të tillë siç është larguar Jozefina Topalli. Në Shqipërinë tonë me një shoqëri të theksuar maskiliste është shumë e lehtë të sulmosh një grua. Është shumë e lehtë ta mundësh dhe është e lehtë ta eleminoish atë.

Pak a shumë kështu ndodhi edhe me Topallin. A mund të thotë dikush se cila grua ka arritur të bëjë dhe të arrijë në politikë ato që ka bërë Jozefina Topalli? Nëse i hedhim një sy historikut, PD ka patur femra që në momente të caktuara edhe kanë shkëlqyer. Por ky shkëlqim ka qenë për pak kohë.

Një syresh janë tretur si kripa në ujë dhe nuk kanë përballuar jetëgjatësinë në politikë. Kështu ndodhi me Rushen Golemin, një personalitet në mjekësi madje edhe në politikë, por shumë shpejt doli nga politika dhe riashtarët e tanishëm në PD nuk ia dinë as emrin.

Kështu ndodhi edhe me Rajmonda Bulkun. Aktorja e bukur u shndërrua deri lidere e një manifestimi spektakolar më 20 shkurt 1991 dhe në vitin 2009 u bë edhe deputete e PD. Por u tërhoq nga politika pa shkëlqyer shumë siç ka shkëlqyer në film duke preferuar teatrin dhe familjen.

Kështu ndodhi me Albina Karamitron, një grua me shumë potencial në politikë, por edhe ajo shumë shpejt u sfumua, doli nga politika dhe sot mund ta mbajnë mend vetëm disa gazetarë të lashtë.

Të treja gra të zonja dhe të afta me atë që treguan teksa aderuan në PD, por ama pas shumë pak vitesh zgjodhën tërheqjen për të qenë të qeta, larg luftës së ashpër mashkullore politike dhe pranë familjes.

Me Jozefina Topallin nuk ndodhi kështu. Ajo dhe vetëm ajo luftoi në çdo situatë dhe rrethanë me meshkuj përreth që e shihnin si rivale dhe për hir të vërtetës me shumicën e tyre fitoi. Prandaj largimi i politikanes Jozefina Topallit dhemb. Por më shumë dhemb largimi i një gruaje që luftoi dhe fitoi shumë beteja.

LARGIMI I NJË NJERIU TË NDERSHËM

“Në shtëpi kam çuar vetëm rrogën time”. Jozefina Topalli e ka përmendur disa herë këtë frazë kur ka qenë në pushtet dhe kur është larguar nga pushteti. Dhe kjo është e vërtetë. Nuk ka asnjë akuzë publike dhe zyrtare ndaj saj.

Nuk ka asnjë përfolje dhe nuk ka asnjë anatemim për përfshirje në afera korruptive. Dhe kjo ka një domethënie të madhe në një politikë shqiptare të mbarsur me të korruptuar të cilët konkurojnë më shumë për pasurinë se sa për të punuar për popullin.

Jozefina Topalli ka arritur të krijojë profilin jo thjesht të një gruaje të bukur që vishet bukur. Por të një gruaje më shumë se kaq, të ndershme dhe që e do familjen.

Një profil që është larg disa grave në kupolën e PD që nuk kanë lidhje as me ndershmërië e as me moralin e Jozefina Topallit. Epo kjo nuk është pak. Është pikërisht ajo që ka nevojë politika dhe shoqëria shqiptare.

E AFRUAN DUKE E LARGUAR

Përzgjedhja e emrit të Jozefina Topallit nga dega e Shkodrës në fillim u duk si një ogur i mirë. Por ç’ndodhi? Dega e vendlindjes vërtetë e propozi por a do të ishte normale që Topalli, një kundërshtare e fortë e lidershipit të PD të bënte pulën e urtë pas përzgjedhjes dhe ta quante këtë arritjen e misionit të vet?

Topalli e hodhi poshtë këtë ofertë që për të ishte më shumë se një futje në vathën e të gabuarve.

“Unë nuk mund të pranoj të bëhem deputete dhe më pas të gënjej zgjedhësit duke mbyllur gojën”, tha Topalli në një intervistë në “Hard Talk”. Pra, kjo ishte një afrim për t’i mbyllur gojën, ose e thënë me fjalët e Topallit, një afrim për ta larguar nga vetëvetja. Epo kjo nuk i shkon asaj.

SULME SKUTHËSH

Eh ç’të bëjnë në politikën shqiptare kur del kundër kryetarit dhe partisë. Nuk duhet ta harrojmë kurrë sulmet në front ndaj Jozefina Topallit në rrjetet sociale. Me emra të rremë dhe me mllef tipik otoman, Jozefina Topalli u sulmua egërsisht pa asnjë normë etike. Çfarë nuk shkruan për të.

Ka qenë kështu, e ka qenë ashtu. E deri te lidhje me Sigurimin. Ka të drejtë ajo dhe njerëzit e saj të thonë: o ju sulmues skuthash nxirrni një dokument dhe pastaj Topalli jo vetëm nuk duhet të vijojë këtë aksion politik por duhet të mbyll publikisht një herë e mirë gojën.

Të largohet nga politika dhe të mbajë mbi shpinë një njollë duke turpëruar të gjithë ata që e mbështetën në 24 vite në karrierën e saj. Por ama, në të kundërt, jo vetëm sulmet duhet të ndalohen, por duhet një falje e madhe publike nga ata që e kanë orkestruar këto sulme dhe një proces gjyqësor ku shpifësit të dënohen.

PËRFAQËSIM I NJË TRASHËGIMIE

Gjon Çoba, kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit, deputet, senator në vitet ‘20-të dhe ‘30-të ishte gjyshi i Jozefina Çoba, Topallit. Kaq i mjaftonte Jozefina Topallit jo vetëm të krenohej por të krekosej se për të punonte historia vetë.

Shtoi kësaj edhe faktin që familja e saj nga babai dhe nëna kanë qenë tregtarë që jepnin e merrnin nga Italia dhe vende të tjera të Mesdheut. Por që për fat të keq pësuan goditje të ashpra nga regjimi komunist saqë edhe vetë ka treguar që ka patur raste që nuk kishte bukë të hante.

Ajo vetëm shumë se një here ka thënë se nuk ka menduar kurrë këtë ishte pjesë e poltikës si një mallkim që kishin marrë të parët e saj. Por dashuria e Jozefinës nuk ka qenë politika, por matematika.

E megjithatë rrethanat erdhën në atë mënyrë që Jozefina Çoba u bë pjesë e politikës duke sjellë në politikën shqiptare jo vetëm femrën kurajoze dhe me moral, por edhe një trashëgimi.

Një trashëgimi që tashmë është këputur në mes. E që fatkeqësisht ngjan me goditjen që morën të parët e saj, por në një formë të moderuar.

NUK I JAPIN TË DREJTË TË VIJOJË KARRIERËN

A ka të drejtë dikush t’i ndalojë Jozefina Topallit që të mos vijojë karrierën? A ka të drejtë dikush ta ndalojë të bëjë atë që do në politikë?

Sigurisht që po. Po e gjen të drejtën një takëm që thonë nuk ka të drejtë. Kjo është absurde për më tepër pas 30 vjetësh dhe kur këto zëra vijnë nga partia e parë që kërkoi liri.

Jozefina Topalli edhe mund të dështojë në këtë aksion të saj politik, por ama ajo dhe politika shqiptare fitoi një gjë të madhe.

Fitoi atë që një politikan është i lirë dhe mund të garojë dhe konkurojë si e mendon ai. Askush nuk ka ta drejtë ta anatemojë dhe ta sulmojë për këtë arsye.

TË LARGUARIT QË NUK I BESOJNË

Astrit Patozi po krijon partinë e vet. Mylsim Murrizi po krijon partinë e vet. Edhe Jozefina Topalli po krijon partinë e vet. Të gjithë po krijojnë partinë e vet.

Epo kjo është rrëmujë e madhe që nuk ia ka fajin Lulzim Basha. Por nuk ia ka fajin as Jozefina Topalli.

Myslim Murrizi është shprehur se do ta ftonte zonjën Topalli në partinë e vet. Por realisht Jozefina Topallit ai kostum, por edhe i të tjerëve u rri ngushtë. Ata e besojnë dhe e vlerësojnë Jozefinën, por statura dhe ambicjet e saj janë më të mëdha se të tyret.

BERISHA I JEP TË DREJTË, POR…

Në intervistën për emisionin “Hard Talk” Berisha e tha qartë që largimi apo mospërfshirja e Jozefina Topallit në listat e zgjedhjeve të vitit 2017 ishte gabim i zotit Basha.

Edhe me statut ajo e ka të drejtën të jetë kandidate për deputete. Por Berisha duhet thënë që nuk e ka mbështetur hapur Topallin.

Ai e takon, e mirëpret por kurrë nuk ka thënë publikisht sepse ç’po ndodh me këtë zonjë edhe nëse ai mendon se ajo e ka gabim.

Atëherë çfarë ka ndodhur mes doktorit dhe Topallit? Askush nuk di ta japë saktësisht përgjigjen e kësaj pyetje.

Por çifti politik më i konsoliduar në të djathtën shqiptare, ai njëshi dhe ajo dyshi, tashmë ndodhen më larg se kurrë më parë.

Prej vitit 2013 Topalli beson se Sali Berisha ka bërë gabimin më të madh në jetë duke mbështetur Lulzim Bashën për të qenë kryetar i PD-së. Ajo ka harxhuar të gjitha bateritë e veta për të sulmuar pikërisht atë që Berisha i ka dhënë kaq shumë besim.

Rrjedhimisht, Berisha dhe Topalli ndodhen për herë të parë, ndoshta edhe të fundit, në një mosdakordësi publike. Një përplasje që askush nuk e kupton, askush nuk i jep sqarim dhe askush nuk e thotë qartë se kush ka të drejtë dhe kush jo.

Një situatë që do ta tregojë vetëm koha. Nëse PD do fitojë zgjedhjet e 25 prillit dhe Basha do bëhet kryeministër, Jozefina Topalli duhet t’i kërkojë të falur dhe vetë duhet të largohet përfundimisht nga politika.

Ama nëse PD humbet zgjedhjet e 25 prillit, duhet që Lulzim Basha të largohet nga politika dhe Jozefina Topalli duhet të përgatitet të drejtojë PD. Këtë herë pak rëndësi ka, me apo pa bekimin e Berishës.

/NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com