[sgmb id=”1″]
“Këtë ngatërresë do ta zgjidh unë”. Donald Trump paralajmëron veprime ushtarake shkatërrimtare ndaj Koresë së Veriut, që ka nisur të vërë në lëvizje nga ana e saj avionët e vet bombardues. Bashkë me këto të fundit, Peniani urdhëroi edhe dërgimin e disa çisternave të jashtme me karburant dhe sistemeve raketore ajër-ajër në një bazë të bregut lindor të vendit.
Lëvizjet janë diktuar nga satelitët amerikanë që fotografuan stacionimin e avionëve “MiG29” në zonë. Në këtë mënyrë forcohet gatishmëria koreano-veriore në sektorin lindor, ndërsa avionët fitojnë aftësinë për të fluturuar më larg sesa rrezja e përcaktuar e 1.450 km.
Dy ditë më parë, shefi i diplomacisë së Koresë së Veriut, Ri Yong-ho deklaroi se Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë vendit të tij dhe se Peniani do të kundërveprojë, nëse kërcënohet, duke përfshirë edhe rrëzimin e avionëve luftarakë amerikanë në rajon.
Ministri e lidhi kërcënimin drejtpërsëdrejti me komentet e presidentit të Amerikës, Donald Trump, të shtunën në “Twitter”, ku thoshte se “njeriu raketë” dhe ata që e ndjekin nga pas nuk do ta kenë të gjatë.
Në vazhdën e përshkallëzimit të retorikave, zëdhënësi i Pentagonit Robert Manning deklaroi se nisja e bombarduesve amerikanë “B-1B” nga Guami, nën shoqërimin e avionëve luftarakë “F-16” këtë fundjavë, ishte një demonstrim force që synonte të vinte në dukje disa nga opsionet ushtarake në dispozicion të presidentit Trump, përfshirë skajin më verior të zonës së çmilitarizuar, ku nuk ka fluturuar ndonjëherë ndonjë bombardues amerikan jashtë brigjeve të Koresë së Veriut, në shekullin e XXI. /Top Channel/