Kryeministri Edi Rama mori sot në mbrojtje pronarin e Report Tv dhe bashkëshorten e tij duke kritikuar Presidentin për sulme ndaj çiftit mediatik.
“Sulmi skandaloz i Ilir Metës mbi Alba Malltezin, bashkëshorten e Carlo Bollinos, është një tjetër zhytje e presidentit të republikës në bozën e vulgaritetit, brutalitetit, antishtetit!”, thotë Rama në një deklaratë që bëri publike pak më parë.
Ndërsa i drejtohet plot mllef Metës, kur shton: “Çfarë dreqin do akoma nga Shqipëria ky njeri që ka marrë më shumë se kushdo në historinë e saj!”.
Duke iu rikthye italianit Bolino dhe gruas së tij, Rama thotë se Meta nuk duhet dhe nuk mund të kërkojë llogari për paratë e tyre.
“I vetmi faj i Alba Malltezit dhe Carlo Bollinos është se i shërbejnë publikut me kurajon e me profesionalizmin e tyre dhe Ilir Meta është i fundit shqiptar në planet që mund t’i kërkojë hesap kujtdoqoftë, jo më Albës e Carlos, për si i sigurojnë të ardhurat e tyre! Çfarë katandie!” /noa.al/
Përditësim/ Reagon Presidenca
“O Buburrec Trendi, a janë anëtarë të “Rilindjes” z.Alfred Peza dhe z.Sadri Abazi?
A është z.Peza, Sekretar i PS për Mediat apo e ke shkarkuar?
A është z.Abazi deputet i PS apo e ke përjashtuar?
Nëse pyetjet dhe email e tyre ti i konsideron sulme dhe nëse të ka mbetur një fije morali: Shkarkoji urgjent nga detyrat që u ke ngarkuar dhe kërko falje publikisht!
Mos e mbaj Malavitën nën shantazh të dyfishtë!
Dhe as mos na ço më korrierët e tu, e di mirë ti se kush janë, për të na dhënë të tjera materiale demaskuese! Na mjaftojnë ato që kemi!
Rrit testimet për COVID-19 dhe jo PPP-të për oligarkët dhe veten tënde se po vdesin njerëzit rrugëve.
ILIR META është PRESIDENTI I POPULLIT🇦🇱 dhe jo i oligarkëve, banditëve dhe shqiptarofobëve.
Sosi uji i gamiles tënde o Mister 1 Prilli!
KTHEHU URGJENT TE 5 QERSHORI, NDRYSHE ORA E PËRBALLJES PO AFRON! 💪🇦🇱”