Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha për Ilva Now në Euronews Albania se PD ka gati ligjin antimafia me anë të të cilit do të bëjë të mundur që të trajtohen të gjitha koncesionet apo tenderët korruptivë.
Z. Basha shpjegoi se subjekt i këtij ligji do të jenë dy lloje, do të jenë zyrtarë të çdo niveli, nga i pari i qeverisë deri tek më i thjeshti që është përfshirë në kontrata publike abuzive dhe personat apo kompanitë private që janë përfitues abuzivë të fondeve publike.
Sipas tij, qëllimi i këtij ligji, që siç tha do të jetë i pari që do të miratohet në kuvend sapo qeveria e tij të vijë në pushtet, është që t’u kthejë shqiptarëve paratë që u janë vjedhur në mënyrë të padrejtë përmes aferave korruptive.
“Qëllimi përfundimtar është që qytetarëve t’u kthehen paratë e vjedhura. Ky është ligji që e bën të mundur. Vit më të errët se ky, kur në kohë pandemia mafia në bashkëpunim me qeverinë vjedhin shqiptarët, nuk ka, edhe pse i përditë i bëjmë thirrje SPAJK të hetojë. Do përfshihet edhe biznesi në ligjin anitmafia.
Ligji antimafia që do të fillojë veprimin që në muajin e parë të qeverisë sime, i pari ligj që do të miratojmë në parlament. Nëse nuk ndalim këto miliarda euro që ikin, nuk mund të ulim taksat, të paguajmë pagat dhe pensionet”, tha kreu i PD.
I pyetur nëse ky ligj do të penalizonte biznesin e ndershëm, kryedemokrati tha se ky ligj do ta përmirësonte klimën e biznesit, pasi sipas tij bën të pamundur garën pa garë.
“Një nga efektet e këtij ligji është parandalimi i korrupsionit. Do të mendohet 2-3 herë çdo zyrtar që të fusë duart në buxhetin e shtetit.
Ligji antimafia s’ka të bëjë me burgun, ka të bëjë ne paratë e vjedhura nga shqiptarët. Gjykata do të marrë vendimin, por procesi do të nisë nga qeveria, me një drejtori ose Ministri Antikorrupsion, hetimi do të bëhet nga prokuroria dhe gjykata do të marrë vendimin”, shpjegoi z. Basha.