Loading...

Basha: PD po nxit drejtësinë të bëjë detyrën, sepse nuk e ka bërë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se Partia Demokratike po nxit drejtësinë të bëjë detyrën, sepse nuk e ka bërë.

I pyetur në një intervistë televizive për kallëzimet që PD ka bërë në SPAK, Basha tha se SPAK duhet të përgjigjet.

“Natyrisht që mund dhe duhet të përgjigjen. Është detyrë e çdo institucioni të bëjë transparencën para shqiptarëve, edhe më shumë kur bëhet fjalë për diçka që sot rëndon shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. Sepse nuk kemi ardhur rastësisht tek inceneratorët. Nuk është se na u tek të fillonim ne të merreshim me aferën e inceneratorëve”, tha ai.

“Për më shumë se tri javë, që para se të niste ajo që duket që është një shpërthim i dytë i pandemisë, unë, Partia Demokratike i kemi kërkuar qeverisë të marrë masa. Kemi nxjerre një plan me pesë pika. Ky plan natyrisht kushton lekë dhe ne kemi treguar se ku t’i marrin këto lekë”, u shpreh Basha.

“Gjatë kohës që ne i kërkojmë qeverisë dhe ajo bën veshin e shurdhët dhe numrat e të infektuarve rriten, numri i mjekëve që largohen në Gjermani rriten, numri i shtretërve të gatshëm për të plotësuar nevojat për pacientët ulet, numri i personave që humbin vendin e punës rritet, numri i bizneseve që falimentojnë rritet”, theksoi Basha.

“Numri i bizneseve që falimentojnë rritet, çfarë shohim, shohim thesarin e shtetit që javë për javë ka pagesa për koncesione korruptive ku bie në sy pagesa për të ashtuquajturit inceneratorët apo djegës të plehrave dhe kjo na ka sjellë në mënyrë të natyrshme te denoncimi i kësaj afere edhe para dy ditësh ndërkohë që përfaqësuesit tanë çonin kallëzimin për inceneratorin e Elbasanit këta paguan 300 milionë lekë inceneratorit të Elbasanit. Mendoni se sa mjekë mund të ishin mbajtur këtu në Shqipëri për t’i shërbyer pacientëve shqiptarë e të mos ishin larguar siç po largohen në mënyrë të frikshme drejt Gjermanisë”, tha Basha.

Basha foli edhe për numrin e testimeve. “Ky është një ilustrim se sa teste për banorë bëhen në rajon dhe në vende të zhvilluara. Shikoni ku është Shqipëria, një test për 26 banorë. Shikoni ku është Serbia për 7, 12 Bosnja, 9 Maqedonia e Veriut, 8 Mali i Zi, këtu jemi ne. Pse? Sepse Shqipëria nuk bën mjaftueshëm testime. Kjo tregon që në vend që të bëhen testime, gjurmime dhe të ndërpritet zinxhiri i infeksionit, qeveria harxhon lekët për inceneratorët”.

“Në këtë aferë janë përzierë edhe politikanët e korruptuar, edhe krimi i organizuar. Prandaj SPAK-u vetë, ekzistenca e SPAK-ut, arsyeja e ekzistencës së SPAK-ut, është hetimi me shpejtësi dhe me transparencë dhe vënia para përgjegjësisë e atyre që në kohë pandemie i çojnë në duart e mafies”, tha Basha. /ata

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com