Loading...

Protestë para Ministrisë së Jashtme, Idrizi:’Nga kalorësi i Çamërisë, u kthye në kalin e Trojës së Greqisë’

Ndërsa pritet që ministri i jashtëm grek Nikos Dendias, të zhvillojë takimin e tij me homologun shqiptar Gent Cakaj, qytetarë të shumtë, aktivistë të vetëvendosjes dhe mbështetës të tjerë të PDIU janë mbledhur në zonën përreth ministrisë për të protestuar ndaj vizitës së zyrtarit grek.

Ndërkohë policia ka rrethuar zonën, ku efektivë të shumtë nuk kanë lejuar kreun e PDIU Shpëtim Idrizi dhe qytetarët të afrohet pranë Ministrisë së Jashtme.

Për mbajtjen e protestës PDIU ditën e djeshme kishte kërkuar leje pranë organeve kompetente, ndërkohë që policia ka refuzuar që ajo të mbahet pasi për shkak të epidemisë nuk lejohen grumbullimet.

“Nga kalorësi i Çamërisë, u kthye në kalin e Trojës së Greqisë. Sot ka avancuar vetëm agjenda greke. Bën ligjin për toponimet. Na u refuzua leja për shkak të Covid-19. Por kur Edi Rama bën asamblenë e PS, Covid nuk është problem. Ndërsa që ne të vendoseshim me pankarta ishte problem. Nuk e zgjodhëm ne kohën për protestë, por ministri i Jashtëm, që erdhi në kohë Covid-i për të bërë presion”, tha Shpëtim Idrizi për mediat.

“Nëse kërkojnë 12 milje, i kanë në Prevezë dhe Artë. Më vjen keq edhe për gjithë punonjësit e policisë, nuk kemi ardhur aty për ata. Tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë sigurisht që dhemb sepse Shqipëria që kemi sot, është për shkak të sakrifikimit të Kosovës dhe Çamërisë”.

“Do të vazhdojmë të protestojmë, nuk mund të lejojmë më që idiotët e dobishëm të Athinës në Shqipëri dhe eunukët që vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e shtetit shqiptar, të lejojnë të vijojë deviza e Serbisë dhe Greqisë, që “çka është e tyre është e tyre, çka është e Shqipërisë është e diskutueshme”.

Idrizi tha se Shqipëria i ka të përcaktuara dhe delimituara kufijtë tokësorë dhe detarë me Serbinë dhe Greqinë, që në vitin 1913, por sidomos me traktatin e vitit 1926, për delimitimin e ujërave të Shqipërisë dhe Greqisë.

Sakaq Idrizi, ka theksuar se protesta do të vijojë me të gjitha mënyrat ndërsa me tone të ashpra i është drejtuar efektivëve që të mos pengojnë protestën.

/NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com