Mjeku pneumolog Arjan Mezini foli sot për situatën e pandemisë në vend, në kushtet kur ditët e fundit u vendos me detyrim mbajtja e maskës e njëkohësisht ka pasur shifra rekord të infektuarish.
Në intervistë për Abc News, dr. Mezini u ndal edhe tek vendimi më i fundit i qeverisë për mbajtjen e maskës me detyrim edhe në ambiente të hapura.
Në gjykimin e tij, maska në rrugë nuk të mbron, e për më tepër nuk ka dalë një studim që mund të faktojë efektivitetin e maskës në mjedise të hapura.
“Unë si profesionist kam bindjen e plotë që nuk do të sjellë asgjë. Nuk ka evidenca që maska në rrugë të ndihmon. Nuk kam parë asnjë studim. Nuk e di pse është vendosur dhe ku do dalë”, tha ai.
Mjeku sugjeron se duhet të rritet numri i testimeve dhe e konsideron normal faktin që janë shtuar të infektuarit pasi ditët e fundit janë dy deri trefishuar testimet.
“Para se të shkojmë te maska në rrugë ne duhet të bëjmë detyrën tonë si shtet. Ne këtë pjesë nuk e bëjmë. E shikoni që janë rritur testimet dhe prandaj janë rritur numrat. Këto numra nuk më trembin se me siguri kanë qenë”, – thotë mjeku i cili shpreh shqetësim se veçanërisht “muajt janar-shkurt do të jetë më vështirë”.
Mezini shikon një paradoks tek akti normativ për maskën e detyrueshme jashtë shtëpisë. “Unë nuk e kuptoj: Ne u themi mbaje maskën në rrugë dhe në lokal hiqe”.
Nga ana tjetër, Mezini kërkon që njerëzit të bëjnë punën e vet, duke zbatuar distancimin fizik dhe përdorimin e maskës në ambiente të mbyllura.
Ndërsa për spitalet, ai thotë se ka nevojë që të shtohen kapacitetet e shfrytëzueshme. “Covid 3 dhe 4 për mua duhet të ishin hapur që të krijohet pak frymëmarrje. Protokolli më i mirë është një pacient një dhomë. Të hapin spitalet Covid 3 dhe 4 që të ulin ngarkesën virale. Shteti duhet të bëjë këto detyrime dhe pastaj të kalojë tek maska në rrugë”, tha mjeku Mezini.
/NOA.al