Për Ligën e Kombeve, nesër Greqia luan me Kosovën (20:45), në Athinë, në një derbi të nxehtë ballkanik. Greqia nuk e njeh Kosovën si shtet, ndërsa kjo ndeshje nuk e gjen në formën më të mirë Kosovën, pas dy humbjeve të fundit me ekipet e tjera ballkanase, Maqedoninë e Veriut dhe Slloveninë.
Humbjet e fundit kanë rikthyer kritikat dhe flasin për një largim të trajnerit zviceran të Kosovës, Bernard Challandes.
Sakaq, edhe Shqipëria dështoi sërish të merrte kreun e grupit në Ligën e Kombeve pasi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në transfertë përballë Kazakistanit.
Kuqezinjtë kanë udhëtuar sot drejt Lituanisë, ku i pret nesër ndeshja e fundit. Një rezultat tjetër zhgënjyes, apo lojë e dobët, “përkthehet” ndoshta si ndeshja e fundit edhe për trajnerin Edy Reja.
Të katër ekipet e grupit kanë nga 4 pikë, që do të thotë se janë në lojë të gjitha shanset, për kreun e grupit, ose për vendin e fundit.
Rezultati zhgënjyes në Kazakistan ishte zhgënjyese edhe për teknikun italian pasi duhet të bënte pa shumë lojtarë titullarë.
Reja hodhi në fushë sërish një formacion ndryshe, me 2 lojtarë si Broja e Kumbulla që aktivizoheshin për herë të parë si titullarë apo dhe me një debutues si Kallaku.
Reja do të jetë i detyruar për ndryshime të tjera ndaj Lituanisë.
Italiani duhet të bëj në këtë transfertë pa një tjetër titullarë të rëndësishëm si Amir Abrashi.
Mesfushori doli i dëmtuar në fundin e ndeshjes përballë Kazakistanit dhe nuk u stërvit me pjesën tjetër të ekipit as në stërvitjen e fundit.
Lituania i mori fitoren Shqipërisë, në ndeshjen e kaluar.
/NOA.al